
Vrasja e Zylyfit! DEBATI-Gosa-Dumani: Politika më lidhi me këta! Se bëja për 15 mijë euro, kam patur miqësi

Andi Zylyfi dhe Nuredin Dumani
TIRANË-Ka vijuar sot seanca gjyqësore për dosjen e bujshme “Plumbi i Artë”. Në seancë patur edhe debate, ku Fatos Gosa, i cili akuzohet nga Nuredin Dumani si informator në ekzekutimin e Andi Zylyfit, ka mohuar akuzuat e vrasësit me pagesë.
Gjatë seancës, Dumani ka pohuar se kishte dyshime se Gosa e kishte denoncuar tek policia, ndërsa ky i fundit e ka mohuar kategorikisht çdo lidhje me grupin kriminal, duke e cilësuar dëshminë e Dumanit si një hakmarrje të sajuar. Në dëshminë e tij Dumani tregoi se kishte dyshuar për Gosën, pasi pas një aksioni të forcave speciale RENEA, i ishte drejtuar Talo Çelës për sqarime, ndërsa ky i fundit kishte përmendur emrin e Gosës si një burim i mundshëm i informacionit.
Avokati i mbrojtjes e pyeti Dumanin lidhur me një plan të mundshëm për eliminimin e Fatos Gosës, por ky e mohoi duke deklaruar: Jo se do e vriste, por tha se duhet hequr, pasi di shumë.
Në këtë moment ndërhyri Fatos Gosa, duke deklaruar me tone të forta se nuk ka pasur asnjë kontakt me Talo Çelën dhe se po përballet me një akuzë të pavërtetë: Nuk kam pasur asnjë lidhje me Talo Çelën. Dua të dalë e vërteta. Këta kishin një polic krimesh që e paguanin. Pasi më arrestuan, inskenuan edhe një grabitje të djalit tim në mes të Peqinit. Kam tre vjet në burg dhe nuk kam takuar asnjëherë gruan dhe vajzën time.
Gjykata e pyeti Gosën pse mendonte se Dumani ka bërë një deklarim të rremë ndaj tij, ndërsa ai u përgjigj se kjo është një hakmarrje e pastër dhe një inskenim nga grupi kriminal për ta përfshirë padrejtësisht në çështje.
Diskutimi në gjykatë:
Dumani: Kur erdhi Renea tek shtëpia ime për një ngjarje në Peqin, mua më erdhi Renea në Durrës. Dikush më kishte shitur, se nuk ka mundësi. Kur e pyeta Talon, ai më tha se Fatos Gosa do ketë folur.
Avokati: Ke thënë që Talo doshte të vriste Fatosin.
Dumani: Jo se do e vriste, por tha se duhet hequr, pasi di shumë. Unë u ankova tek Talo për policinë. Ai më tha se do e ketë sjellë Fatos Gosa.
Avokati: Me Erion Alibeajn ke folur për vrasjen e kushëririt të tij?
Dumani: Po, kam folur. I kam thënë, më vjen keq, se unë ju dhashë mjetet për një atentat ne Peqin, por nuk e dija se ishte kushëri i Alibeajt.
Ndërhyn i pandehuri Fatos Gosa: Nuk kam pasur asnjë kontakt me Talo Çelën. Nuk e kam pasur mik. Dua të dalë e vërteta. Do dali e vërteta. Unë kam pasur miqësi me familjen e Andi Zylyfit. Si mund ta bëj unë atë për 15 mijë euro.
Gjykata: Pse mendoni se Dumani ka bërë deklarim të rremë ndaj jush?
Gosa: Këta kishin në Leonard Palushi, një polic krimesh që e paguanin. Sollën në Peqin kontroll Renean në disa familje. Deklarimin e rremë Dumani e ka bërë për hakmarrje. Pasi jam arrestuar kanë inskenuar grabitjen e djalit tim në mes të Peqinit. Vjen policia, ndërsa çuni ishte në shtëpi. Nuk kam qenë tek ajo vrasje. Nëse kam qenë lentë dënohem. Politika më ka lidh me këta maskarenj. 8 vjet ndenji një palë e 8 vjet pala tjetër. Unë t’ju merrja pasaportat njerëzve që më vinin në lokal.
Gjykata: Jeni takuar ndonjëherë?
Gosa: Asnjëherë. Doja të isha i qetë, por më falni për emocionin. Unë kam tre vjet në burg dhe nuk kam takuar asnjëherë gruan dhe vajzën time.
Fatos Gosa u arrestua në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pas dëshmisë së Nuredin Dumanit. Nga dosja hetimore, rezulton se Fatos Gosa ka qenë informatori i vrasësve me pagesë. Ekzekutimi i Andi Zylyfit ndodhi më 13 dhjetor 2019 në fshatin Përparim në rrugën nacionale Elbasan-Peqin. Fatos Gosa, ka qenë duke luajtur domino me babanë e Andi Zylyfit, kur e ka parë këtë të fundit teksa lëvizte dhe u ka treguar autorëve vendndodhjen e saktë të tij, ku më pas edhe u ekzekutua.
Nuredin Dumani, vrasësi me pagesë që është kthyer në të penduar të drejtësisë vijon dëshmitë për dosjen “Plumbi i Artë”. Dumani ka zbërthyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin duke i thënë SPAK kodet e PIN-eve që kishte në aplikacionin “SkyECC”: ‘Totorina”, “Covid 19” dhe “Alcatraz”. Po ashtu, paralajmëroi edhe krime të tjera që do të zbardhen me “Matrix”, aplikacionin më të ri që është dekriptuar nga Europol./ZËRI