Vrasja e Rroshkodolit, e shkuara e tij bën me ‘dhimbje koke’ hetuesit! Del në skenë konflikti me Barush Bregun, ‘të fortin e Shkodrës’

Vrasja e Rroshkodolit, e shkuara e tij bën me ‘dhimbje koke’ hetuesit! Del në skenë konflikti me Barush Bregun, ‘të fortin e Shkodrës’

Elis rroshkodoli dhe barush bregu

SHKODËR- E shkuara kriminale, dhe përfshirja e tij në disa ngjarje të rënda, të ndodhura më herët, vështirëson punën e policisë për zbardhjen e atentatit ndaj Elis Rroshkodolit. 36-vjeçari u qëllua me breshëri armë mesditën e të premtes (30 Gusht), teksa ishte duke pirë kafe në një lokal në zonën e Zdrales, ndërsa 14 prej 18 plumbave të zbrazur nga autori u gjetën në trupin e tij, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Fill pas identifikimit të tij, puna e hetuesve u vështirësua, për shkak se Roshkodoli në të shkuarën ka qenë i skeduar, dënuar dhe shpallur në kërkim për disa ngjarje kriminale të ndodhura brenda dhe jashtë vendit.
Konfliktet e viktimës kanë nisur që kur ka qenë në një moshë të re ende pa i bërë 20 vjeç deri kur u qëllua për vdekje në atentatin mafioz të një dite më parë. Së fundi është zbuluar edhe një ngjarje për të cilën 36-vjeçari nuk është përmendur më herët. Bëhet fjalë për një plagosje të ndodhur në vitin 2010, ku Rroshkodoli ka plagosur me armë zjarri shtetasin Hysni Bregu, babai i të fortit të Shkodrës Barush Bregu. Ky i fundit rezulton gjithashtu i dënuar dhe arrestuar për disa ngjarje kriminale të ndodhura në qytetin verior.
Po ashtu në vitin 2014, Rroshkodoli dyshohet se është përfshirë në një vjedhje në Belgjikë, i arrestuar bashkë me një grup shqiptarësh. Po në Belgjikë dyshohet se ka plagosur një shkodran me mbiemrin Shema dhe një vit më parë është dyshuar për plagosjen e një rumuni në Rumani nga ku është arratisur drejt Stambollit. Ndërkohë policia përveç këtyre ngjarjeve ka mësuar edhe disa konflikte të tjera ku dyshohet se është përfshirë viktima.

Policia ka dyshime se ekzekutorët e kësaj vrasje mund të jenë persona me pagesë dhe se porositësit janë të tjerë. 36- vjeçari, duke qenë i vetëdijshëm për konfliktet e shumta mbante me vete një pistoletë me fishekë në fole e gatshme për qitje, të cilën grupi hetimor e gjeti në çantën e tij të dorës, menjëherë pas vrasjes.
Policia dyshon se një automjet tip benz ngjyrë gri, që është përdorur nga autorët, ka ardhur nga rruga “Isuf Sokoli” dhe 36-vjeçari është qëlluar teksa pinte kafe në një lokal në unazën perëndimore. Automjeti i dyshuar që ende nuk është gjetur ka marrë rrugën në të majtë në drejtim të hyrjes së Shkodrës duke humbur gjurmë më pas. Në lokal në momentin e vrasjes ndodheshin katër persona, viktima, pronari i lokalit dhe dy klientë të tjerë. Njëri prej dëshmitarëve ka qenë shumë afër 36-vjeçarit por ia deklaruar se nuk ka qenë me të në tavolinë dhe se viktima po pinte kafe i vetëm. Lokali ku ndodhi vrasja mësohet se nuk ka kamera sigurie, gjë e cila e vështirëson më shumë punën për policinë.
Efektivët kanë mbledhur kamera të tjera për të gjetur lëvizjet e automjetit, por makina me të cilën u krye vrasja humb gjurmët në akse të pa monitoruara nga kamerat. Dëshmitarët kanë treguar vetëm se kanë parë një automjet dhe asgjë tjetër lidhur me vrasësit. Ndërkohë Elis Rroshkodoli është djali i Kujtim Haxhisë, ky i fundit i vrarë në vitin 1995 në Shkodër pas një konflikti duke lënë në moshën 7 vjeçare të birin që u ekzekutua një ditë më parë. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj vrasje në Shkodër./ZËRI
Burimi