Vrasja e Faik Ajdinit, arrestohet autori Blerti Kanushi dhe 3 bashkëpunëtorët e tij. E përfshirë në krim dhe një grua

Vrasja e Faik Ajdinit, arrestohet autori Blerti Kanushi dhe 3 bashkëpunëtorët e tij. E përfshirë në krim dhe një grua

Faik Ajdini

GJIROKASTËR- Drejtori i policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa, në një deklaratë për mediat bëri me dije se është zbardhur vrasja e ndodhur dy ditë më parë ne Memaliaj, ku u gjet trupi i pajetë i 72-vjeçarit Faik Ajdini.
Çipa tha se është arrestuar autori Blerti Kanushi dhe 3 bashkëpunëtorët e tij, e përfshirë në krim është edhe një grua, Darovi Ajdini. Sipas hetimeve, trupi i pajetë i 72-vjeçarit Faik Ajdini, u gjet në një humnerë, me disa plagë që i ishin shkaktuar nga mjete prerëse.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një sherri për motive pronësie, pasi viktima dhe autori kanë qenë fqinj mes tyre.
*Pamje nga operacioni i policisë:

“Nga dinamika hetimore u konkludua se për shkak të konflikteve për motive të dobëta ndërmjet viktimës, shtetasit Faik Ajdini, dhe bashkëshortëve Skënder dhe Darovi Ajdini, këta të fundit kanë nxitur shtetasin Blerti Kanushi, 23 vjeç, i kanë krijuar kushtet dhe i kanë siguruar mjetet, për kryerjen e vrasjes. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin Skënder Ajdini, më datë 19 gusht 2024, rreth orës 07:00 të mëngjesit, kanë kryer vrasjen me thikë të shtetasit Faik Ajdini dhe më pas Blerti Kanushi është larguar nga vendi i ngjarjes. Pas kryerjes së krimit, Skëndër Ajdini me shtetasen Darovi Ajdini kanë kryer veprime aktive për pengimin e zbulimit të së vërtetës, duke bërë përpjekje për të zhdukur provat e krimit. Shtetasi Bledar Ajdini, në dijeni të plotë për krimin, ka përkrahur autorin e krimit, duke mos informuar institucionet ligjzbatuese për vendndodhjen e tij.
Nga sqarimi i rrethanave të ngjarjes dhe mekanizmit të ndodhjes së saj, nga ana jonë është organizuar puna për lokalizimin e kapjen e shtetasit Blerti Kanushi dhe sekuestrimin e të gjitha provave që dokumentonin autorësinë e tij në këtë krim të rëndë. Në vijim të hetimeve, më datë 20.08.2024 në orën 23:30, janë arrestuar në flagrancë shtetasit:
1. Skënder Ajdini, 71 vjeç për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga nenet 78/25, 80 dhe 302 të Kodit Penal;
2. Bledar Ajdini, 43 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal.
Gjithashtu, në ndjekje të vazhdueshme dhe të pandërprerë të veprimeve operacionale dhe hetimore në terren, më datë 22.08.2024, ora 03:00, u arrestua në flagrancë shtetasi Blerti Kanushi, 23 vjeç për vepren penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/25 i Kodit Penal dhe shtetasja Darovi Ajdini, 64 vjeçe, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga nenet 301 dhe 302 i Kodit Penal”, tha Çipa. /ZËRI
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente