Vrasja e Adrian Pepkolajt në Tropojë pas sherrit për muzikën, vetëdorëzohet në Polici Saimir Sadiku
Viktima, Adrian pepkolaj
TIRANË- Është vetëdorëzuar në policinë e Tiranës Saimir Sadiku, autori i vrasjes së ndodhur në datën 11 Korrik në Tropojë, ku mbeti viktimë shtetasi Adrian Pepkolaj, dhe u plagosën disa të tjerë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në datën 11 Korrik në Tropojë, në ambientet e një lokali, ku 40-vjeçari Saimir Sadiku goditi me mjete prerëse 24-vjeçarin, Adrian Pepkolaj, vëllain e këtij të fundit, 32-vjeçarin Valentin Pepkolaj dhe 45-vjeçarin Shkelzen Kuka.
24-vjeçari Adrian Pepkolaj u dërgua në spital por nuk arriti që t’i mbijetojë plagëve të marra duke humbur jetën, ndërsa Saimir Sadiku prej më shumë se një muaj ndodhej në arrati.
NJOFTIMI I POLICISË:
Vihet në pranga shtetasi S. S., i akuzuar për vrasjen e një 24-vjeçari, më datë 11.07.2024, në një lokal në fshatin Breg-Lumë.
Pas kontrolleve të shumta të kryera nga Policia e Tiranës dhe negociatave, ky shtetas është vetëdorëzuar në DVP Tiranë.
Një ditë pas ngjarjes, Policia arrestoi 5 shtetas që përkrahën shtetasin S. S., pas vrasjes me mjete prerëse të 24-vjeçarit dhe të plagosjes së dy shtetasve të tjerë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Kukës ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin në kërkim S. S., 40 vjeç, banues në Fierzë, caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Kukës, më datë 14.07.2024, për veprën penale “Vrasja me dashje”.
Shtetasi S. S. akuzohet se më datë 11.07.2024, rreth orës 17:00, në një lokal në fshatin Breg-Lumë, plagosi me mjete prerëse, shtetasit V. P., 32 vjeç, Sh. K., 45 vjeç, si dhe vëllanë e shtetasit V. P., shtetasin A. P., 24 vjeç, i cili si pasojë e plagëve, humbi jetën në spital.
Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.
Personat e tjerë që u arrestuan pas ngjarjes, si bashkëpunëtorë janë:
-Andrin Qehaja, 39 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”;
-Xhevolin Macaj, 31 vjeç, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzimi i krimit”;
-Altin Shpendi, 34 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;
-Anton Boçi, 29 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;
-Jetmir Kuraj, 34 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi përkrahën autorin e vrasjes me mjete prerëse të një shtetasi dhe të plagosjes së dy të tjerëve, kryer pasditen e djeshme, për motive të dobëta, në një lokal në fshatin Breg-Lumë. /ZËRI
Burimi