Vota e emigrantëve, ambasadori i OSBE-së thirrje KQZ-së: Të garantohet, duhen konsultime gjithëpërfshirëse

Vota e emigrantëve, ambasadori i OSBE-së thirrje KQZ-së: Të garantohet, duhen konsultime gjithëpërfshirëse

Michel Tarran dhe Ilirjan Celibashi

TIRANË- Ambasadori Michel Tarran, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri ka folur në Tryezën e Rrumbullakët të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në lidhje me reformën zgjedhore. Tarran tha se është ende një sfidë e pazgjidhur vota e emigratëve, e cila duhet të garantohet, përmes një procesi gjithëpërfshirës, politik, por edhe me praninë e aktorëve civilë.
Tarran: Kemi një sfidë të pazgjidhur, atë të votimit nga jashtë vendit. Nuk ka standarde të caktuara në lidhje me këtë. I takon secilit shtet të zbatojë atë model që i përshtatet më mirë. Çdo vendim duhet të jetë nga koncensusi i gjerë, i bazuar nga konsultime gjithëpërfshirëse, duke përfshirë aktorë civilë, shoqërinë dhe diasporën.
Prezenca e OSBE që mbështet KQZ vijon të jetë e angazhuar të mbështesë përpjekjet dhe bashkëpunimin për përmirësimin e administrim të zgjedhjeve dhe përmirësimin e tyre. Ju ftoj ta shihni si një prej partnerëve më të ngushtë. Të punojnë për të garantuar se do të respektohet zëri i secilit, diskutimet e sotme të çojnë përpara integritetin zgjedhor në Shqipëri.
Me afrimin e zgjedhjeve për Kuvendin është shumë e rëndësishme t’i trajtojmë këto çështje sipas përparësisë në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR. Duhet të kuptojmë sa më mirë vështirësitë që hasim gjatë procesit në mënyrë që të kemi përmirësim të vazhdueshëm. Presim të diskutojmë si institucionet publike i administrojnë denoncimet gjatë fushatave zgjedhore dhe rrugët për të përmirësuar raportimin dhe sfidat për administrimin zgjedhor.
OSBE është e gatshme të ofrojë mbështetje dhe ndihëm teknike sipas nevojës duke nxitur besimin dhe transparencën në procesin zgjedhor. Ja vlen të theksojmë se liria dhe ndashmëria dhe transparenca e procesit zgjedhor nuk kanë vetëm përgjegjësinë e KQZ-së, por janë përpjekje politike e të gjithë aktorëve. Vonesat e mundshme gjatë arritjes së këtij qëllimi kufizojnë kohën në dispozicion të KQZ-së çka mund të ndikojë tek cilësia e proceseve zgjedhore.
Gjatë ditës së djeshme socialistët dorëzuan në Kuvend propozimet e tyre për kodin e ri zgjedhor, ku përfshihej edhe vota e emigrantëve. Socialistët propozojnë që vota e diasporës të bëhet përmes postës, ndërsa shpenzimet do të ndahen mes KQZ-së dhe votueseve.
Në propozimin e socialistëve thuhet se KQZ, duhet të paguajë për dërgimin e fletës, ndërsa tarifën e kthimit do të duhet që ta paguajnë votuesit. Mënyrën e regjistrimit të emigrantëve për të marrë pjesë në zgjedhje pa pasur nevojë të vijnë fizikisht Shqipëri, PS ia ka lënë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të caktuar modalitetet.
Vota e diasporës do të përllogaritet në qarkun ku emigrantët kanë adresën e banimit në Shqipëri.

Ndërkohë që nuk ka një reagim zyrtar nga opozita në lidhje me këto propozime, që për të kaluar në Kuvend, kanë nevojë për konsensus mes palëve, pasi duhen 84 vota. /ZËRI
Burimi