
Vëllai i deputetit të LVV plagos aksidentalisht nipin, Prokuroria nis hetimet
Haxhi dhe Naser Avdyli
PRISHTINË- Naser Avdyli, vëllai i deputetit të zgjedhur Haxhi Avdyli nga Lista e Vetëvendosjes, ka plagosur nipin e tij. E gjithë ngjarja ka ndodhur para 2 javësh, por vetëm sot është konfirmuar në Prokurorinë e Prizrenit. Sipas “Gazeta Sinjali”, Naser Avdyli ka plagosur aksidentalisht djalin e vëllait që ka fituar mandatin për t’u bërë deputet në Kuvendin e Kosovës, por fatmirësisht ka pasur vetëm lëndime të lehta.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe deputeti që pritet të betohet në Kuvend. Avdyli shkruan se nuk ka qenë armë, ashtu siç pretendohet në media por “pushkë ajrore” ose “pushkë ajrore”.
“Jo, jo, nuk janë ato plagosje, ajo është armë sportive, nuk janë armë të vërteta. Normalisht ajo është plagosje e vogël. Ajo është armë sportive, e padëmshme. Janë lëndime të vogla, që nuk ka kurrfarë rëndësie. Djali është shumë mirë, ka shku në shpi menjëherë. Pra nuk është armë, është pushkë ajrore. As zogun nuk e vranë ajo, është pushkë ajrore. Kjo s’është plagosje. Ju jeni kazan që merreni me sene, ju Sinjali jeni kazan plehu, që veç plehnoni”. Kazan i mbeturinave që shpërndani dezinformata, I ndotni njerëzit. Edhe baju…”,-ka thënë deputeti i kontaktuar nga media në Kosovë.
Por Prokuroria Themelore në Prizren tashmë e ka konfirmuar rastin.
“Referuar kërkesës tuaj, ju njoftojmë se lidhur me rastin prokurori i çështjes pasi që ka marrë informatën nga policia dhe ka siguruar të gjitha provat materiale, ku në bazë të tyre bëhej fjalë për plagosje aksidentale me pushkë ajrore, ka inicuar rast për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Lidhur me këtë rast është sekuestruar pushka ajrore. Aktualisht, rasti është në punë dhe është në fazën e mbledhjes dhe grumbullimit të provave relevante, të cilat do t’i kontribuojnë ndriçimit të plotë të këtij rasti.”
Bazuar në informacionet që posedon Gazeta Sinjali, incidenti ka ndodhur më 7 mars dhe fatmirësisht, nipi shpëtoi pa pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa Policia në Prizren u njoftua për rastin. Nga Prokuroria kanë bërë me dije se për rastin ka nisur hetimi ndaj të dyshuarit në drejtim të dy veprave penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Arma e përdorur është sekuestruar./ZËRI
Burimi