
Veliaj “kthehet” në Tiranë, prej orës 10 po merret në pyetje brenda SPAK

Erion Veliaj
TIRANË– Kryebashkiaku i arrestuar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj po merret në pyetje nga prokurorët e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Veliaj ka dalë nga ambientet e paraburgimit të Durrësit dhe prej orës 10 të mëngjesit në godinën e Prokurorisë. Por nuk është i vetëm! Teksa po merret në pyetje, Veliaj është i shoqëruar nga dy avokatët e tij dhe po jep shpjegime për disa çështje. Megjithatë më shumë detaje nuk dihen.
Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash OJF. Kështu kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste.
Veliaj akuzohet se ka përfituar 3 vila në Qerret, ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 890 mijë euro në blerje veshjesh dhe bizhush online. Veliaj është lënë në masën “arrest me burg”, ndërsa Xoxa në “detyrim paraqitje”, ndërsa për 6 biznesmenët që dyshohen se kanë bashkëpunuar me Veliajn janë lënë në “arrest shtëpie” dhe “detyrim paraqitje.”/ZËRI