
U tha se sot do të mbyllej, Tik Tok vijon të jetë i hapur në Shqipëri

FOTO ILUSTRUESE
TIRANË-Të gjithë përdoruesit e Tik Tok po prisnin që sot aplikacioni të mbyllej, por diçka e tillë nuk ka ndodhur. Përdoruesit vijojnë të kenë akses në platformë. Mbyllja e Tik Tok më 13 mars, u njoftua nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, i cili kërkoi zyrtarisht ndalimin e aksesit në aplikacionin brenda kësaj date.
Për mbylljen e aplikacionit do të bllokohen IP e Tik Tok në territorin e Shqipërisë, DNS e TikTok, SNI (Server Name Indications) të Tik Tok dhe IP e kompanisë ByteDance në territorin e Shqipërisë.
Të ndodhur para vendimit për mbylljen e aplikacionit, më datë 15 opozita e vendit ka lajmëruar mbajtjen e një proteste, ku kanë kërkuar që të jenë pjesëmarrës të gjithë që nga nxënësit e shkollave deri tek prindërit e tyre.
Më shumë se dy muaj pas njoftimit, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për mbylljen e TikTok për 1 vit në Shqipëri. Brenda një jave apo 10 ditësh, shqiptarët nuk do të mund të aksesojnë më platformën “Tik Tok”. Vendimin e marrë e ka njoftuar Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e cila pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave bëri me dije se për 12 muaj, “Tik Tok” nuk do të mund të funksionojë më brenda territorit të Shqipërisë. Mbyllja e platformës u njoftua nga kryeministri Edi Rama në 21 dhjetor, pas një konsultimi publik. Shkak i nismës u bë vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, pasi një grup nxënësish u përfshinë në sherr me thika pranë shkollës ‘Fan Noli’ në Tiranë më 18 nëntor 2024. Sa i përket vendimit, TikTok ka deklaruar se nuk ka prova që incidentet e dhunshme të përmendura janë të lidhura drejtpërdrejt me platformën e tyre./ZËRI