
Trump&Putin folën për gati 2 orë, pala ruse: Bota është bërë një vend shumë më i sigurt sot!
Donald Trump dhe Vladimir Putin
SHBA- Donald Trump dhe Vladimir Putin, presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, kanë diskutuar sot për më shumë se 1 orë e gjysmë në telefon për çështjen e Ukrainës. Pas përfundimit të telefonatës që nisi në orën 15.00, Shtëpia e Bardhë njoftoi se: Nuk kemi qenë kurrë më afër një marrëveshjeje paqeje.
Pas telefonatës, Trump dha edhe detaje në rrjetin e tij social në “Truth Social”.
“Kemi rënë dakord për shumë elementë të marrëveshjes përfundimtare, por mbetet ende shumë për të bërë. Mijëra ushtarë të rinj dhe të tjerë po vdesin. Çdo javë sjell vdekjen e 2500 ushtarëve, nga të dyja palët, dhe kjo duhet të ndalet TANI,”-shkroi Trump.
Ndërsa për Rusinë ka reaguar Kirill Dmitriev, i dërguari special i Vladimir Putinit për bashkëpunimin ndërkombëtar.
“Nën udhëheqjen e Presidentit Putin dhe Presidentit Trump, bota është bërë një vend shumë më i sigurt sot.”
Ndërsa Donald Trump dhe Vladimir Putin po diskutonin të ardhmen e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy ishte në Finlandë, duke vazhduar vizitat e tij diplomatike në aleatët evropianë. Presidenti ukrainas nuk iu referua drejtpërdrejt telefonatës mes liderëve të SHBA-së dhe Rusisë, por përsëriti se Evropa duhet të marrë pjesë në negociatat për Ukrainën.
“Evropa duhet të jetë në tryezën e bisedimeve dhe gjithçka që ka të bëjë me sigurinë e Evropës duhet të vendoset së bashku me Evropën,”- theksoi ai.
Biseda e parë telefonike mes Trump dhe Putin u zhvillua më 12 shkurt. Ai ishte komunikimi i tyre i parë i drejtpërdrejtë në tre vjet, pasi ata nuk kishin pasur kontakte personale që nga viti 2022 për shkak të zhvillimeve në Ukrainë dhe prishjes së marrëdhënieve SHBA-Rusi. Pas kësaj bisede, në Arabinë Saudite u zhvilluan negociatat ruso-amerikane të nivelit të lartë, ku u diskutua si për rivendosjen e marrëdhënieve dypalëshe ashtu edhe për çështjen e Ukrainës./ZËRI
Burimi