Tragjedia në Novi Sad! Pas 4 muajsh shënohet viktima e 16-të, ndërron jetë një 19-vjeçar

Tragjedia në Novi Sad! Pas 4 muajsh shënohet viktima e 16-të, ndërron jetë një 19-vjeçar

pamje nga ngjarja në Novi Sad

SERBI-Është rritur bilanci i viktimave nga tragjedia në Novi Sad. Vukashin Crnçeviç, 19 vjeç i cili mbeti i plagosur rëndë nga shembja e një tende në stacionin hekurudhor ka ndërruar jetë. Ai është viktima e 16-të e shembjes së tendës. 19-vjeçari i diplomuar në gjimnaz, më 27 janar u transferua në Akademinë Mjekësore Ushtarake (MMA) nga Qendra Klinike Universitare e Vojvodinës, ku gjendja e tij ishte kritike, por stabile, shkruan rtv.rs.
Një flamur i zi u shfaq në ndërtesën e shkollës dhe rrjetet sociale u mbushën me mesazhe ngushëllimi. Në shenjë kujtimi, sot në disa pika të qytetit u mbajtën 16 minuta heshtje një minutë për çdo viktimë të humbur të aksidentit tragjik. 
Në 1 nëntor 2024 në qytetin e Novi Sad tavani i një stacioni hekurudhor u shemb, ku si pasojë humbën jetën 15 persona. Pas kësaj tragjedie, për tre muaj protestat nuk kanë ndalur në Beograd, pasi qytetarët akuzojnë qeverinë se qëndron pas kësaj, për shkak të korrupsionit që ka “pushtuar” vendin.

Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad njoftoi më 21 nëntor se 11 persona u arrestuan pasi u gjetën përgjegjës për shembjen. Mes tyre ishin ish-ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiç, dhe ish-drejtoresha e Infrastrukturës Hekurudhore, Jelena Tanaskoviç. Ata rrezikojnë deri në 12 vjet burgim nëse shpallen fajtorë për akuzat për kryerjen e veprave penale kundër sigurisë publike, rrezikimin e publikut dhe punime të paligjshme ndërtimi./ZËRI
Burimi