Tragjedia në Koçan, arrestohet kryetari i dorëhequr dhe dy ish-kryetarë të komunës

Tragjedia në Koçan, arrestohet kryetari i dorëhequr dhe dy ish-kryetarë të komunës

Pamje nga vendngjarja

KOÇAN- Kryetari i dorëhequr, Ljupço Papazov dhe dy ish-kryetarët Nikolço Iliev dhe Ratko Dimitrovski janë arrestuar nga autoritetet maqedonase. Sipas Prokurorisë, dyshohet se ata janë të përfshirë në tragjedinë me 59 viktima pas zjarrit që përfshiu lokalin e natës “Pulse”.
Aksioni është zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike të Koçanit lidhur me procedurën e zjarrit në klubin “Pulse”. Prokuroria Publike njoftoi sonte se operacioni për ndalimin e personave të dyshuar për përfshirje do të vazhdojë gjatë gjithë natës, ndërsa më shumë detaje do të japin pas përfundimit të operacionit nesër. Ljupço Papazov më 17 mars është marrë në pyetje dhe pas kësaj Prokuroria ka njoftuar se do të merret vendimi.

Në orën 3 të mëngjesit të 16 marsit një klub nate në Maqedoninë e Veriut u përfshi nga flakët. Si pasojë e zjarrit kanë humbur jetën 59 persona dhe 155 të tjerë janë plagosur. Në ambientet e lokalit ishin mbi 1500 persona, të cilët po ndiqnin një koncert muzikor. Dyshohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike. Deri më tani janë ndaluar 15 persona, mes të cilëve edhe zyrtarë shtetërorë, ndërsa mbrëmë janë caktuar masa e paraburgimit për dhjetë persona. Disa nga të dyshuarit janë lënduar nga zjarri dhe ndodhen në spital./ZËRI
Burimi