TIMS/ “Nëse ti je analfabet nuk e kemi fajin ne”, Salianji përplaset me Veliun: Nuk kam ardhur të tallesh
mbledhja
TIRANË-Tensione ka pasur sot në mbledhjen e komisionit hetimor për TIMS, ndërkohë që ka dhënë dëshminë e tij Ardi Veliu ish- drejtor i Policisë së Shtetit. E gjitha nisi nga titulli i kërkesës depozituar në komision ku shkruhej ‘kërkesë për informacion’. Salianji e ka quajtur Veliun analfabet dhe i ka kërkuar të mos flasë me gjuhe sipas tij, jo etike.
Ardi Veliu: Të dhënat janë sensitive, që kanë të bëjnë me të dhëna personale, aplikacione e sisteme të cilat në vlerësimin tim profesional është mirë të ruhet konfidencialiteti dhe të mos bëhen pjesë e opinionit publik. Mos bërja publike do i shërbejë forcimit të sigurisë kombëtare’
Ervin Salianji: Pse problem është bërja publike apo vjedhja e të dhënave. Ku ka ngelur gjë pa dalë në këtë shteti. Keni shkruar kërkesë për informacion
Qefalia: Po më duket tendencioze. Sepse kërkesa e sjellë nga një dëshmitar mban po të njëjtën lëndë. Zoti kryetar kjo është tendencioze
Gështenja: Një përfaqësues i drejtorisë së policisë thotë ‘kërkesë për informacion’. Duket që këto kërkesa realizohen në një kompjuter dhe nuk ndryshojnë titullin e lëndës
Salianji: Pse ne e kemi fajin që s’dinë të shkruajnë drejtuesit e policisë?! Qenka bërë disa raste që qenkan të paaftë drejtuesit e policisë të hartojnë një shkresë dhe duan të luftojnë krimin?!
Ardi Veliu: Nuk kam ardhur të tallesh as ti askush këtu.
Salianji: Nuk e keni fjalën ju. Kur ta keni fjalën. Atëherë do të flasësh
Ardi Veliu flet pa mikrofon
Salianji: Zoti Qefalia do ta ketë ngaqë ka dyshim që dini të shkruani apo të lexoni. Me këtë gjuhë fol ndonjë vend tjetër. Bëjeni diku tjetër ku jeni mësuar. Kur e drejtoj unë komisionin nuk e bën dot.
Ardi Veliu flet pa mikrofon
Salianji: Ti je lesh i tërë në këtë rast. Ti je kokë e këmbë lesh. Nëse ti je analfabet nuk e kemi fajin ne. Përpara meje e këtij komisioni rri me qetësi, drejtoju e përgjigju.
Lefter Gështenja: Nuk kuptoj pozicion që kanë mbajtur në institucionet shtetërore dhe keni lejuar që në TIMS, keni lejuar që të punësojnë njerëz në nivele të larta pa certifikata sigurie, vini këtu na thoni që janë të dhëna sensitive, ca të dhënash flasim, ndërkohë që me ligj kjo mazhorancë e ka përjashtuar sistemin TIMS nga përbërja sekret hetimor apo konfidenciale.
Toni Gogu: Privilegji s’duhet të na çojë në shkelje flagrante të ligjit, ligji thotë se në asnjë rast nuk lejohet që të fyejnë ose të prekin dinjitetin personal të personave të thirrur në komision. Të kthejmë urgjentisht këtë mbledhje në shinat e ligjshmërisë. Po bëjmë një gjë qesharake, ka ardhur dëshmitari me dy kërkesa, një me shkrim dhe një me gojë, kërkoi qartë zhvillimin e mbledhjes me dyer të mbyllura. Kryetari me ca xhonglime u mor me titullin e lëndës. I përpi kryetari kompetencat dhe thotë e vendos unë këtë, është apo nuk është.
Mbledhja e sotme ka nisur me 1 minutë heshtje për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare. Që në nisje të takimit, kryetarja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vjosa Hyseni ka kërkuar që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura. Kërkesa e saj ka nisur debatin që zhvillohet gjatë çdo marrjeje në pyetje të Komisionit. Dëshmia e saj u dha me dyer të mbyllura, për shkak të sekretit hetimor.
Ç’ka ndodhur me sistemin TIMS?
Sulmi i ndodhur në 2022 ndaj sistemit TIMS është marrë përsipër nga një grup i identifikuar si Homeland Justice, i cili, sipas qeverisë shqiptare është i financuar nga Irani. Pikërisht për këto sulme, jo vetëm ndaj TIMS por edhe institucioneve të tjera, kryeministri Edi Rama deklaroi ndërprerjen e marrëdhëneve me Republikën Islamike të Iranit. Pas sulmeve kompania Microsoft që mori pjesë në hetimin e ngjarjes tha se të gjitha zbulimet e saj ishin të lidhura me Iranin. Hetimi i TIMS është paraprirë nga akuza dhe përplasje të ndërsjellëta mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa deputetë demokratë kanë paralajmëruar se të dhënat që do të zbulohet nga Komisioni, do të zbardhin shumë nga lidhjet e ministrave apo zyrtarëve socialistë me elementë të krimit./ZËRI
Burimi