“Të sfidoj!”/ Mesazhi i Imamoglut për Erdoganin nga altoparlantët në metronë e Stambollit

“Të sfidoj!”/ Mesazhi i Imamoglut për Erdoganin nga altoparlantët në metronë e Stambollit

Foto ilustruese

TURQI- Lideri i opozitës turke Ekrem Imamoglu po vazhdon luftën kundër presidentit Recep Tajip Erdogan nga qelia e paraburgimit. Ai i ka dërguar mbështetësve të tij një mesazh zanor, i cili është vendosur me megafon në metronë e Stambollit. Në një mesazh audio të transmetuar nga altoparlantët, Imamoglu i hapi sfidë Tajip Erdogan, duke thënë: Unë të sfidoj ty.
Kjo është një përpjekje tjetër e kryebashkiakut të Stambollit për të mbajtur lart moralin e mbështetësve të tij, duke këmbëngulur që beteja e tij të vazhdojë, edhe brenda mureve të Sigurimit të Përgjithshëm
Nga ana tjetër, kryetari i CHP-së Ozgur Ozel ka bërë thirrje për tubime të reja sot në orën 20:30, ku do të mbajë edhe një fjalim. Pavarësisht të ftohtit, mijëra njerëz iu përgjigjën thirrjes së Özel për mobilizim dhe dolën në rrugë, duke bërtitur ndër të tjera: Imamoğlu, ti nuk je vetëm!
Çfarë thonë analistët?
Shumë ekspertë thonë se me arrestimin e Imamoglu, Erdogan kërkon të eliminojë pretendentët e mundshëm në funksion të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale dhe të zgjasë mandatin e tij. Murat Somer, një profesor i politikës në Universitetin Ozyegin në Stamboll, tha se ndalimi i kryebashkiakut të Stambollit është pjesë e transformimit politik që po kalon Turqia.
Ai gjithashtu nënvizon se Turqia duket se po ndryshon nga “një regjim i hapur autoritar në një regjim totalitar plotësisht autoritar të stilit rus ose bjellorus”.
A po kërkon Erdogan rizgjedhje si president?
Këto lëvizje tregojnë se presidenti turk dëshiron të zgjasë mandatin e tij. Sipas Kushtetutës, presidentët lejohen të kandidojnë vetëm për dy mandate. Për të anashkaluar këtë rregull, presidentit turk do t’i duhej të ndryshonte Kushtetutën ose të thërriste zgjedhje të parakohshme. Sa i përket ndryshimit të Kushtetutës, Erdogan ka nevojë për mbështetjen e CHP, partia e dytë më e madhe në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë. Partia Republikane ka mbi 130 deputetë, ndërsa partia e presidentit turk mbi 270 deputetë. Një amendament kërkon një shumicë prej 2/3 në parlament.
Ndryshimi i kushtetutës nuk është e vetmja rrugë, pasi ai mund të thërrasë zgjedhje të parakohshme, të cilat do t’i siguronin të paktën 5 vite të tjera qeverisje, pasi mandati i tij i dytë do të ishte i paplotë. Për të qenë kandidat për presidencën, parlamenti duhet të bëjë shpalljen, në përputhje me nenin 116 të Kushtetutës./ZËRI
Burimi