
Sulmi ndaj “CFO Pharma”/ Artan Hoxha: Dyshohet se pjesë e aksioneve ka qenë dhe Ervis Martinaj

Nadir Çausholli dhe Ervis Martinaj
TIRANË– Gazetari investigativ Artan Hoxha ka komentuar sulmin me breshëri kallashnikovi drejt godinës së biznesit “CFO Pharma” në pronësi të Nadir Çaushollit. Në një prononcim të dhënë për “MCN”, Artan Hoxha tha se autorët kanë dashur ta çojnë të plotë mesazhin te pronari i kompanisë. Po ashtu, sipas tij, kjo kompani në të shkuarën është hetuar edhe lidhje të mundshme me Ervis Martinajn.
“Është një ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit dhe nga mënyra se si ka ndodhur ngjarja kemi të bëjmë me një histori që ndodh hera parë pas kaq kohësh që nuk ishte prezentë. Një sulm i tillë tipik i fundit ka ndodhur goditja ndaj fasadave me Top Channel kur u vra roja, pro që vazhdon ende të jetë e pazbuluar. Kemi të bëjmë me një sulm tipik që mbesin ngjarje të pazbuluara dhe janë të përqendruara kryesisht në aksin Tiranë-Durrës, Tiranë-Fushë Krujë, pra në zonën industriale. Realizimi i një ngjarje të tillë në këtë formë me breshëri kallashnikovi, të paktën 20 plumba janë gjetur në fasadë kanë dashur ta çojnë të plotë mesazhin te pronari. Kemi të bëjmë me një kompani që dhe në të kaluarën ka pasur probleme me institucionet shtetërore, pra ka pasur konflikte, por kishte vite që kishte rënë në qetësi.
Është një kompani e madhe në tregun farmaceutik, është kompani me histori të gjatë në tregun farmaceutik, është fuqizuar. Në të shkuarën është hetuar dhe dyshuar se pjesë e aksioneve ka qenë dhe Ervis Martinaj. Pra dhe kjo ka qenë në të kaluarën por sot është herët për të gjykuar sepse ngjarja sa po ka ndodhur, por çfarëdo që të jetë motivi ngjarja duhet zbardhur se është një mesazh që i shkon jo vetëm kësaj kompanie por të gjithave,” – tha Artan Hoxha.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, biznesi i tij, “CFO Pharma” ishte në shënjestër të plumbave. Një person ka qëlluar me breshëri drejt godinës, ndërsa në vendin e ngjarjes janë lënë më shumë se 30 gëzhoja. Më pas, qitësi bashkë me shoferin e mjetit janë larguar në drejtim të Kasharit. Për të zbardhur ngjarjen, grupi hetimor ka marrë në pyetje edhe pronarin, Nadir Çausholli, por ky i fundit ka mohuar të këtë probleme apo konflikte dhe nuk ka dhënë asnjë emër tek i cili dyshon./ZËRI