
Sot jepet vendimi për sekuestron e llogarive bankare, Ajola Xoxa paraqitet në Apelin e GJKKO

Ajola Xoxa
TIRANË-Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut Erion Veliaj, është paraqitur sërish ditën e sotme në Apelin e Gjykatës së Posaçme. Në Apelin e GJKKO-së do të zhvillohet seanca për ankimimin e Xoxës mbi sekuestron e llogarive bankare. Vendimi mbi ankimimin e saj do të jepej ditën e djeshme por seanca u shty për shkak se avokati i Xoxës ka kërkuar kohë të njihej me materialet e depozituara nga ana e organit të akuzës.
Ajola Xoxa argumenton se këto para janë të rregullta me burime të ligjshme dhe jo ashtu siç pretendon SPAK. Xoxa ka bërë gjithashtu rekurs në Gjykatën e Lartë për vendimin e Apelit të GJKKO-së që legjitimoi kontrollet në bizneset e saj, si edhe sekuestrimin e celularit.
Bashkëshortja e Erion Veliajt akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Gjatë seancës së kaluar Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj dhe ndryshoi masën për bashkëshorten e tij, Ajola Xoca nga ‘arrest shtëpie’ në “detyrim paraqitje”. SPAK akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash OJF./ZËRI