S’ka takim Kurti-Vuçiç, Borrell: Kosova nuk ishte gati, vendosi tre kushte

S’ka takim Kurti-Vuçiç, Borrell: Kosova nuk ishte gati, vendosi tre kushte

Josep Borrell dhe Albin Kurti

BRUKSEL- Mungesa e takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç u konfirmua edhe nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian Borrell. Sipas tij Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë. Borrell tha se në bisedimet dypalëshe Kosova paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë. Por sipas tij, Serbia nuk ishte e gatshme të pranonte kushtet e vendosura nga Prishtina.
“Nuk pati një takim trepalësh në Bruksel. Kosova nuk ishte e gatshme të për një takim të tillë me Serbinë. Albin Kurti ka paraqitur tre kushte për Serbinë. E para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, më 13 dhjetor 2023. Dorëzimi i Millan Radoiçiçit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës. Serbia nuk ishte e gatshme që plotësisht të pranojë kushtet e vendosura nga Kurti, përderisa presidenti Vuçiç la të kuptohet se është i gatshëm të eksplorojë mundësi sa i përket letrës së ish-kryeministres dhe formalizimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, në linjë me praktikat e shkuara të dialogut, në mënyrë që të zhbllokohet zbatimi i marrëveshjes”,-u shpreh Borrell.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pas takimeve që ka zhvilluar në Bruksel në një deklaratë për mediat tha se takimi trepalësh nuk është realizuar, pasi qeveria e Kosovës ka kërkuar zbatimin e Marrëveshjes Bazike, për të cilën është rënë dakord më 27 shkurt të vitit të kaluar dhe është pasuar më tej nga aneksi i zbatimit, që është pjesë integrale nga 18 marsi i vitit 2023.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, u tha medieve serbe në Bruksel se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “nuk ka dashur të më shohë”. Ai theksoi se gjatë bisedave dypalëshe me ndërmjetësuesit ka theksuar përkushtimin e plotë të Beogradit për vazhdimin e bisedimeve. Sipas presidentit serb, kryeministri Kurti dëshiron që Serbia ta njohë Kosovën dhe “tani kanë dalë me disa kërkesa të tjera, por në thelb është një njohje de jure”.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente