Shifrat e frikshme/ Shkollat 9-vjeçare e nisin vitin me 125 mijë fëmijë më pak se një dekadë më parë

Shifrat e frikshme/ Shkollat 9-vjeçare e nisin vitin me 125 mijë fëmijë më pak se një dekadë më parë

Ulet numri i nxenesve ne shkolla

TIRANË- Ritmet e rënies së nxënësve në shkolla po përshpejtohen nga viti në vit sipas të dhënave zyrtare. Në vitin shkollor 2024-2025, rreth 238 mijë fëmijë do ndjekin arsimin në sistemin publik 9-vjeçar sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit.
Sipas INSTAT, në këtë nivel arsimi ,në vitin shkollor 2023-2024 ishin të regjistruar 258 mijë nxënës në arsimin 9-vjeçar. Nisur nga këto të dhëna, numri i nxënësve në shkollat 9-vjeçare në këtë vit të ri shkollor është 7.8% më pak se viti i kaluar, ose 20 mijë nxënës më pak.
Ritmet e rënies së nxënësve në arsimin 9-vjeçar janë shumë më të larta se vitin e kaluar, kur tkurrja ishte 3.4%.
Nga viti 2014 deri në vitin 2024, numri i fëmijëve në ciklin 9-vjeçar ka pësuar rënie me 34.5%, ose 125 mijë më pak.Në vitet në vijim, tkurrja e nxënësve do të jetë më e lartë si rrjedhojë e rënies së fortë të lindjeve dhe normave ende të larta të emigracionit në moshat e reja.
Sipas të dhënave nga cens 2023, këtë vit hyjnë në klasën e parë jo më shumë se 24 mijë fëmijë në të gjithë vendin.
Si rrjedhojë e rënies së nxënësve, një numër i madh shkollash po mbyllen vit pas viti. Nga viti shkollor 2012-2013, në vitin shkollor 2021-2022 janë mbyllur 295 shkolla të arsimit 9-vjeçar në të gjithë vendin duke e çuar numrin total të tyre në 1051 nga 1346 që ishte në vitin 2013.
Mbyllja e shkollave ka ardhur në raport të drejtë me rënien e numrit të nxënësve, pasi nga 2011 më 2023, INSTAT referon se numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar ka shënuar tkurrje me rreth 30%. Zonat rurale kryesojnë me mbylljen e shkollave, pasi numri i fëmijëve është pakësuar ndjeshëm.
Që nga viti 2000 janë mbyllur 42% e shkollave 8-9-vjeçare në rang vendi. Arsimi bazë nga klasa e parë deri në të nëntën me kohë të plotë është i detyrueshëm për të gjithë fëmijët që janë nga mosha 6 vjeç deri në moshën 16 vjeç, me përjashtim të rasteve të parashikuara në ligj.
Numri i të rinjve në vend po ulet me shpejtësi. Kur u zhvillua censi 2011, në të gjithë vendin u numëruan 268,756 të rinj të grupmoshës 15-19 vjeç, por në censin 2023, numri i tyre u përgjysmua me vetëm 142,943 persona, me rënie 47%.
Kjo grupmoshë kishte rënien më të madhe në periudhën ndërmjet censeve si në numër dhe në përqindje. Popullsia e përgjithshme pësoi rënie me 14.8%, ndërsa në grup moshat e reja, ky raport ishte më shumë se dy herë më i lartë./Monitor
Burimi