
SHBA dhe Ukraina negociata në Arabinë Saudite, Kremlini: Presim informacione nga Uashingtoni!
Foto ilustruese
JEDDAH- Negociatat mes delegacioneve amerikane dhe ukrainase kanë nisur që në orën 10.30 dhe ende vazhdojnë. Palët janë ulur në tavolinë për të diskutuar pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka theksuar se është gati për një marrëveshje paqeje, ndërsa delegacioni i liderit amerikan Donald Trump pret në radhë të parë finalizimin e një marrëveshjeje për mineralet e rralla. Sytë e botës janë përqendruar te Jeddah, ndërsa Moska e gjen veten në shënjestër të një sulmi të ashpër nga Ukraina.
Ekipi negociator amerikan është i përbërë nga: Marco Rubio, sekretar i Shtetit dhe Mike Walz, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare i Presidentit; ndërsa ‘skuadra’ e Ukrainës përbëhet nga: Andriy Yermak, shefi i shtabit të Zelenskyy, Andrij Sibiga, Ministër i Punëve të Jashtme; Rustem Umerov, Ministër i Mbrojtjes.
Teksa diskutimet vijojnë, shefi i Kabinetit të Presidentit të Ukrainës, Andriy Yermak, ka postuar në rrjetin social “X” dhe ka shkruar: Puna ende është në progres!
Ndërsa nga amerikanët, një reagim ka ardhur prej këshilltarit të Sigurisë, i cili gjatë pushimit tha: Ne do të gjejmë një zgjidhje!
Ndërkohë që Amerika dhe Ukraina diskutojnë, edhe Moska duket e interesuar për atë që po ndodh në Jeddah.Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i pyetur se çfarë pret Moska nga takimi, u përgjigje se pret që Rusia pret që të ketë një përditësim nga vetë SHBA lidhur me atë që është diskutuar sot. Ndaj, i dërguari special i Trump, Steve Witkoff, pritet të udhëtojë në Moskë këtë javë për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin.
Por teksa shumë larg frontit të luftës ka negociata, disa orë më parë, të paktën tre persona u vranë dhe tre të tjerë u plagosën në një sulm të madh ukrainas me dron në Moskë. Guvernatori i rajonit, Andrei Vorobyov, tha se viktimat u gjetën në qytetet Vidnoye dhe Domodedovo, në periferi të kryeqytetit rus. Nga ana tjetër, kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin lajmëroi se 73 dronë i kishin sulmuar gjatë natës.
Sipas BBC, ky është një nga sulmet më të mëdha që ka pësuar rajoni i kryeqytetit rus që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt 2022./ZËRI
Burimi