
Salianji kërkon lirimin nga burgu, Gjykata e Lartë shqyrton sot rekursin e ish-deputetit demokrat

Ervin Salianji
TIRANË-Gjykata e Lartë do të shqyrtojë sot rekursin e ish-deputetit të PD-së, Ervin Salianji, i dënuar me 1 vit burgim të formës së prerë nga Apeli i Tiranës, për dosjen “Babale”, izolim që po e vuan prej 27 shtatorit 2024 në Fier.
Salianji kërkon në Gjykatën e Lartë rrëzimin e vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit që e dënoi me 1 vit burg, duke lënë në fuqi vendimin e dhënë më parë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Vendimi i Apelit u shpall nga trupi gjykues me relatore Elona Toro dhe anëtarë Iliba Bezati dhe Genti Shala.
Më 27 shtator, ish-deputeti demokrat u vetëdorëzua vullnetarisht në Polici, për t’u tranferuar më pas në burgun e Fierit, ku edhe do të vuajë dënimin me 1 vit heqje lirie për çështjen “Babale”. Gjyqi zgjati për disa vite për një denoncim mediatik që demokrati kishte bërë ndaj Geron Xhafajt, vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj, lidhur me trafikun e drogës dhe një dënim të pakryer në Itali. Por Salianji u dënua për kallëzim të rremë. Aktualisht, ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji po kryen dënimin në burgun e Fierit./ZËRI