Rama dhe Osmani takohen në SHBA: Koordinojmë qëndrimet që Kosova të jetë sa më parë pjesë e NATO-s
Rama dhe Osmani
TIRANË- Kryeministri Edi Rama dhe Presidentja e Kosovës janë takuar në Uashington, aty ku po zhvillohet Samiti i NATO-s, nën drejtimin e presidentit të SHBA-ve Joe Biden.
Në një foto të publikuar nga Osmani, ata shihen të buzëqeshur, të ulur në një tryezë të rrumbullakët, ndërsa presidentja shkruan se takimi mes tyre është bërë për të koordinuar qëndrimet, që edhe Kosova të jetë sa më shpejt pjesë e NATO-s.
“Me Kryeministrin Edi Rama, në margjina të Samitit të NATO-s në Washington D.C. për t’i koordinuar qëndrimet dhe përpjekjet tona të përbashkëta në mënyrë që edhe Kosova, sa më parë, t’i bashkohet Shqipërisë dhe shteteve tjera aleate si anëtare me të drejta të plota në NATO, aty ku edhe e ka vendin”, ka shkruar Osmani.
Samiti vjetor i NATO-s, që do të zgjasë deri më 11 korrik, përkon me 75-vjetorin e themelimit të saj dhe zhvillohet derisa lufta në Ukrainë vazhdon.
Në Samitin e Uashingtonit, udhëheqësit e NATO-s do të trajtojnë një sërë çështjesh me të cilat përballet Aleanca dhe do të sigurojnë që NATO të mbetet e gatshme për t’iu përgjigjur çdo sfide.
Këtu përfshihet mbrojtja e të gjithë aleatëve, me stërvitje në tokë, në det dhe në ajër; ndihma për Ukrainën, e cila është ende nën pushtimin brutal të Rusisë; bashkëpunimi mes partnerëve, që përfshin Evropën, rajonin Indo-Paqësor dhe organizata të tjera, veçanërisht BE.
Burimi