“PS, rikthim në shtëpi”/ Vangjel Tavo: Kandidimi s’më erdhi surprizë, e kisha diskutuar me Ramën (Slogani)
Vangjel Tavo
VLORË- Prefekti i Vlorës, Vangjel Tavo tregon se si e pranoi ftesën e kryeministrit Edi Rama për të kandiduar për Bashkinë e Himarës në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të mbahen më 4 gusht. Në fjalën e tij, në një intervistë të dhënë për emisionin “Neës24″, vangjel Tavo tha se lajmi i kandidimit nuk i erdhi shumë surprizë, pasi e kishte diskutuar edhe më parë me kryeministrin Edi Rama. Ndër të tjera në fjalën e tij, Tavo deklaroi se ai do të zhvendoset në Himarë nëse fiton zgjedhjet.
“Ishte e pritshme pasi kryeministri me ka ftuar dhe e kemi diskutuar çështjen e kandidimit tim për Himarën dhe nuk mund të them që ishte e prapritur. Kur u përfol emri im ka qenë thjesht një thashethem që qarkullonte në media. Kjo nuk është çështje gëzimi, për mua është sfidë. Unë jam përvojë në politikë, por është nder për mua që të shkëputem nga një qark që kam punuar dhe jam shumë i lumtur që jam shkëputur me detyra të arritura 100%. Më është ofruar një sfidë tjetër që edhe në Himarë të dal me sukses. Se përse më zgjodhi kryeministri mua duhet të pyetet ai, por jam i bindur që përvoja ime, profili im politik që ka qenë gjithmonë i një personi që është përpjekur gjithmonë të ulë tonet dhe të zgjidhë problemet e komunitetit. Pra gjithë kjo përvojna imë dhe profili poltik kanë bërë që kryeministri të më zgjedhë,”-tha në fjalën e tij, Tavo.
Po ashtu, Tavo u shpreh se nuk do ta komentonte apo vlerësonte kundërshtarin e tij, të cilin opozita ende nuk e ka caktuar, duke shtuar më shumë është i fokusuar tek gjetja e sloganit. Gjithashtu, për të, problemi më i madh për Himarën është çështja e pronave, për të cilën premtoi zgjidhje.
PJESË NGA INTERVISTA:
Kandidati i opozitës, djali i Belerit, ua vështirëson garën? Unë kam bërë vetëm 8 fushata parlamentare, por nuk i kam përmendur kurrë kandidatët. Nuk më ka shqetësuar asnjëherë kandidati rival. Do merrem vetëm me njerëzit, vetëm me zgjidhjet e problemeve. Unë kurrë nuk do e vlerësoj rivalin. Nga përvoja ime nuk e kam përmendur kurrë kandidatin tim, ai ka punën e tij në kemi punën tonë.
Cili do të jetë slogani? Jemi duke e menduar, por përmendimin tim është zgjidhje dhe jo krizë. Nuk është Himara në krizë, por zgjidhje të problemeve, në këtë kuptim e kisha.
Cilin do të veçoni si problemin kryesor të Himarës? Edhe si prefekti i qarkut të Vlorës e njoh zonën. Mendoj se problem është çështja e regjistrimit të pronave. Jam në një pozicion që e shpreh me kënaqësi faktin që në 1 muaj janë shpërndarë certifikata pronësie dhe janë gati për t’u shpërndarë edhe të tjera. As edhe një nuk do të ngelë pa marrë certifikatën e shtëpisë së tij. Ky është premtimi i kryeministrit. Ky nuk është një premtim elektoral, është angazhim shumë i madh i kryeministrit dhe këta qytetarë nuk kanë marrë tapitë dhe certifikatat e shtëpisë.
Do të shpërnguleni në Himarë me kohë të plotë? Pa diskutim. do jem vazhdimisht në kontakt me njerëzit, do jem çdo ditë. Unë këtë tip kam pasur gjithmonë. Edhe kur isha deputet i Gjirokastrës isha 4 ditë në Gjirokastër dhe tre ditë në Tiranë. Tani jam “full time” sepse kryetari i Bashkisë i ka detyrat e lidhura me komunitetin.
A ndjeheni mirë në gjirin e socialistëve, i fundit që u godit është kolegu juaj, ish-ministër shëndetësie? Nuk kam ndëruar shumë parti, isha në PS dhe kalova në LSI. U riktheve në shtëpinë time. Nuk ka asgjë për të komentuar. Unë jam i majtë. U ktheva në shtëpi, siç thonë edhe anglezët “shtëpi e ëmbla shtëpi”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të premten që ti hiqte përfundimisht mandatin e kryebashkiakut të Himarës Fredi Belerit. Vendimi u dha dhe në prani të këtij të fundit, i cili u shoqërua në ambientet e KQZ me policë. Pas vendimit të marrë nga KQZ, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi datën 4 gusht si ditën ku do të mbahen zgjedhjet e reja. Vendim i kundërshtuar nga opozita. Gazment Bardhi e ka cilësuar dekretin e Presidentit si antikushtetues. Ndërkohë vendimi solli dhe reagimin e diplomacisë greke. Ministria e Jashtme e Greqisë kërkoi që Fredi Beleri të mund të betohet si eurodeputet në Parlamentin Europian. Fredi Beleri u arrestua më 12 Maj, dy ditë para zgjedhjeve vendore të 14 Majit dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për blerje votash. Ndërkohë Gjykata e Posaçme e Apelit e ka dënuar Belerin me 2 vjet burg./ZËRI
Burimi