
PROFIL- U zgjodh në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare, kush është Kryepeshkopi i ri Joan Pelushi

Kryepeshkopi i ri Joani
TIRANË- Sinodi i Shenjtë zgjodhi sot pasardhësin e Kryepeshkopit të ndjerë Anastas Janullatos. Pas mbledhjes, u caktua Kryepeshkopi i ri, Joan Pelushi. Zgjedhja e tij si kryepeshkopi i ri, ishte amanati i Janullatos, pasi konsiderohej edhe si “alter egoja” e tij.
Kush është Kryepeshkopi i ri?
Emri laik i kryepeshkopit Joan është Fatmir Pelushi. Ai lindi në një familje bektashiane në Shqipëri, por u konvertua fshehurazi kur ishte në shkollë gjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri. U konvertua edhe duke rrezikuar burgun, torturën, internimin apo dhe vrasjen. Ishte koha kur regjimi diktatorial i Enver Hoxhës po zbatonte persekutimin e ashpër ndaj fesë dhe lirisë së besimit. Mitropoliti Joan i Korçës flet rrjedhshëm greqisht, pasi ka studiuar në një shkollë ortodokse greke në SHBA. Ai ishte peshkopi i parë i shuguruar nga kryepeshkopi Anastas dhe u bë dora e djathtë e tij.
Në Shqipëri, Mitropoliti i Korçës Joani konsiderohej si “alter egoja” e kryepeshkopit të ndjerë të Shqipërisë, të cilin e shoqëronte apo edhe e zëvendësonte në krye të delegacioneve të Kishës Ortodokse të Shqipërisë kur ishte e nevojshme. Prandaj nuk është për t’u habitur që pas vdekjes së Kryepeshkopit Anastas, u zgjodh në krye të Kishës Ortodokse.
Si “fëmijë” i Anastasit, në Mitropolin e Korçës, At Joani ka demonstruar punë me shumë vlera në shkrimin dhe përkthimin e librave, gazetave e revistave. Ai jeton si astek – për shembull, nuk ka as televizor në shtëpinë e tij, sepse e konsideron atë si “sfidë” dhe në përgjithësi është një person me shumë profil të ulët duke shmangur daljet publike. Por kjo nuk do të thotë se ai nuk ka guximin që të shprehë mendimin e tij. Për shembull, shtatorin e kaluar në Paris, para presidentit francez Emmanuel Macron, si përfaqësues i Kishës Shqiptare, ai mbajti një fjalim të zjarrtë për luftën dhe varfërinë, duke thënë se “paqja është një kombinim i drejtësisë dhe solidaritetit. Nuk mund të ketë paqe pa drejtësi dhe nuk mund të ketë drejtësi pa solidaritet”.
Mitropoliti Joani nuk ka kultivuar marrëdhënie të ngrohta kishtare me ortodoksinë greqishtfolëse – pavarësisht se ka studiuar në Seminarin Teologjik Ortodoks Grek të Kryqit të Shenjtë në Bruklinm Nju York dhe flet rrjedhshëm greqisht dhe anglisht, përveç gjuhës amtare, shqipes. Duke pasur një karrierë të pasur intelektuale dhe shkrimtare, duke përkthyer të paktën 9 libra në gjuhën shqipe (i pari ishte “Për Shpirtin e Shenjtë”, botuar në vitin 1996), ai shkruan shpesh artikuj për gazetën shqiptare “Rilindja”.
Por ai nuk e konsideron shkrimin si diçka të rëndësishme.
“Zoti nuk do të më përgëzojë nëse shkruaj një libër të përsosur mbi teologjinë. Por do të më pyesë se çfarë ndodhi me plakën e varfër që e injorova,“-tha ai. Por edhe më interesante se shkrimet e tij dhe karriera e tij kishtare është jeta e tij.
I lindur në ditën e parë të vitit 1956 në Tiranë, mitropoliti shqiptar ka një mjekër të zezë të errët dhe tipare që nuk ia tregojnë as moshën e tij dhe as jetën që ka bërë. Babai i tij u burgos në vitin 1944 si “armik i shtetit”, madje ai vetë u arrestua shumë herë dhe deri më sot është vënë në shënjestër të nacionalistëve shqiptarë si “armik i shqiptarëve”, madje të tjerë e konsiderojnë “agjent grek” apo dhe “agjent i CIA-s”.
Pavarësisht se vinte nga një familje dervishësh myslimanë, ai thotë se ishte mëse e pritshme që ai të bëhej një kriptokristian në një kohë kur persekutimi fetar në Shqipëri ishte shumë i ashpër.
“Unë vij nga një familje bektashiane,”- ka rrëfyer vetë Mitropoliti John në librin e Jim Forrest “Rilindja e Kishës në Shqipëri – Zërat e të krishterëve ortodoksë”, ndërsa shton: Kjo është një formë e islamit shiit, në realitet një lloj kriptokristianizmi, një formë e Islamit që nuk është shumë larg krishterimit të hapur. Bektashinjtë kanë një lloj pagëzimi, një lloj kungimi, madje edhe tre nivele klerikësh, ashtu si ne. Ata adhurojnë shenjtorët, përdorin ikona, pinë verë. Është e qartë se disa nga rrënjët e tyre janë të krishtera.
Si fëmijë që i pëlqente gjithmonë të lexonte, Gjoni – emri i parë laik i të cilit ishte Fatmir, ra në kontakt për herë të parë me krishterimin kur një mik i dha atij Dhiatën e Re në frëngjisht. Pas Dhiatës së Re, ai lexoi shumë libra të autorëve ortodoksë, katolikë, myslimanë dhe hebrenj, të cilët i huazoi fshehurazi nga Biblioteka e Tiranës, pasi atje njihte bibliotekaren.
“Çdo person që besonte në Zot ishte aleati im,“-tha ai. Ai shpejt u bë anëtar i një grupi të fshehtë të kishës.
E dinte se si ai dhe familja e tij mund ta paguanin shtrenjtë, por nuk i interesonte. Ishte koha e Hoxhës, ku u arrestua kryepeshkopi Kristofor dhe vdiq në paraburgim në Tiranë, por edhe shumë të tjerë u vranë, torturuan dhe internuan për shkak të besimit të tyre. Ai u pagëzua zyrtarisht si i krishterë, duke marrë emrin Gjon Teologu në vitin 1979 nga At Kozmai.
“Ishte një kohë e rrezikshme për të bërë diçka të tillë”.
Kishte priftërinj shqiptarë që u ekzekutuan pikërisht për këtë veprim.
Sapo përfundoi studimet për Psikologji në Universitetin e Tiranës, Fatmiri u punësua në një klinikë psikiatrike në kryeqytetin shqiptar.
“Çfarë mbulesë e përsosur për mua! Çfarë pune më të mirë mund të gjesh për një ndjekës të Krishtit sesa kujdesi për të sëmurët? Në fakt, “të çmendurit” shpesh nuk ishin të çmendur. Ndonjëherë denoncoheshin nga ndonjë anëtar i familjes vetë që të mos arrestoheshin dhe dënoheshin. Kjo ishte manovra e tyre për t’ju shmangur sistemit,“- thotë ai në rrëfimin e tij në librin “Rilindja e Kishës në Shqipëri “.
Por qëndrimi i tij atje nuk ishte saktësisht pa ngjarje. Ai u vu në shënjestër të Shërbimit Sekret shumë herë, duke arritur kulmin ditën kur ata bastisën zyrën e tij pasi dikush e spiunoi se ai mbante një Bibël në një sirtar. E vërteta është se do të ishte arrestuar nëse drejtori i klinikës dhe nipi i komandantit të Policisë Sekrete nuk do t’i pengonte oficerët që të hynin në zyrë vetëm se i pëlqente Joani – apo Fatmiri siç e njihte.
Pas rënies së komunizimit, ai fitoi një bursë studimi nga Komuniteti Shqiptar i SHBA-së, hyri në Seminarin Teologjik Ortodoks Grek të Kryqit të Shenjtë në Bruklin. Por kthimin në vendlindje e kishte gjithmonë në mendje. Kështu, kur mori detyrën si Kryepeshkop Anastasi, At Joani arriti të komunikonte me të. Hierarku grek e frymëzoi me vendosmërinë e tij për të ringjallur Kishën Shqiptare. Edhe sot e kësaj dite, ai e sheh atë si mishërim të idealeve të tij.
“Nëpërmjet tij munda të shoh një shembull të palëkundur se si të kombinojmë përkushtimin tonë ndaj Zotit dhe njeriut.”
Kështu, në vitin 1993, duke refuzuar ofertat për të qëndruar në SHBA dhe për të punuar si prift, ai u kthye në vendlindje. Më 27 shkurt të vitit pasardhës ai u bë peshkopi i parë shqiptar që u shugurua nga Anastasi. Ndërsa sot, ai u zgjodh pasuesi i Janullatos, si kryepeshkopi i ri në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare./ZËRI