
Prezantohet raporti për Shqipërinë në Parlamentin Europian, shqetësim për presionet ndaj SPAK

Foto ilustruese
TIRANË- Reporteri, Andreas Schieder për Shqipërinë në Parlamentin Evropian ka dorëzuar në Komisionin e Jashtëm draft-raportin për Shqipërinë. Sipas raportit të publikuar, evidentohen si shqetësime kryesore ndërhyrjet dhe presioni politik ndaj drejtësisë. Draft-raporti pritet të kalojë për miratim gjatë javëve në vijim. Gjithashtu, në raportin e prezantuar në PE vlerësohet puna e SPAK, por tërhiqet vëmendje edhe në cënimin e pavarësisë së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Parlamenti Evropian përshëndet progresin që ka arritur Shqipëria në zbatimin e reformave në drejtësi, përfshirë procesin e vetingut, të përfunduar në shkallë të parë. Por, nga ana tjetër shpreh shpreh shqetësimin për ndërhyrjet e vazhdueshme politike dhe presionin mbi sistemin gjyqësor.
Parlamenti Evropian vlerëson punën SPAK në Shqipëri në ndërtimin e një historiku të hetimit, ndjekjes penale dhe dënimit në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Përtej çështjeve të drejtësisë, me shqetësim shikohet edhe niveli i ulët i transparencës së autoriteteve në të gjitha nivelet.
PE nënvizon përgjegjësinë e autoriteteve kombëtare dhe lokale për të përmirësuar transparencën, llogaridhënien dhe gjithëpërfshirjen duke kryer konsultime kuptimplota dhe të rregullta publike me palët e interesuara. Gjithashtu vërehet me shqetësim se zbatimi i kuadrit ligjor për konsultimet publike nga Kuvendi i Shqipërisë mbetet kryesisht formal.
Edhe situata mediatike shihet me shqetësim dhe theksohet nevoja që çdo rishikim i ligjit për median të jetë në linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecias./ZËRI