
“Parakaloi gabim”/ Aksidenti me 1 viktimë në Shkodër, arrestohet shoferi i ambulancës

Foto ilustruese
SHKODËR- Shoferi i ambulancës që u përfshi në aksident ditën e enjte është vendosur në pranga nga Policia. Sipas bluve të Shkodrës, 65-vjeçari është vendosur në pranga për shkak se ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Nga ekspertiza e kryer nga vendi i ngjarjes, 65-vjeçari ishte duke drejtuar ambulancën e spitalit të Koplikut dhe ka kryer një parakalim të gabuar. Ndaj edhe është përplasur me makinë tjetër.
Nga kjo ngjarje ka humbur jetën shoferi 57-vjeçar i makinës, ndërsa u plagosën gruaja e tij dhe vajza. Fatmirësisht të dyja ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.
“Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për një aksident në aksin rrugor “Shkodër- Hani i Hotit”, ju informojmë se specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan shtetasin P. S., 65 vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. 65-vjeçari duke drejtuar autoambulancën e Spitalit të Koplikut, si rezultat i një parakalimi të gabuar ka përplasur automjetin me drejtues shtetasin A. K., 57 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën, dhe janë dëmtuar dy pasagjeret shtetaset S. K.,43 vjeçe, dhe D. K., 18 vjeçe,(bashkëshortja dhe vajza e shtetasit A. K), të cilat ndodhën në Spitalin Rajonal Shkodër, jashtë rrezikut për jetën,”– njoftoi Policia./ZËRI