
Nis numërimi mbrapsht! Mesnata afati i fundit, emrat e ekipeve garues më 11 Maj në ‘duart’ e Berishës dhe Ramës
Sali Berisha dhe Edi Rama
TIRANË-Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë kohë deri mesnatën e sotme për të vendosur për emrat që do të fusin në listën e kandidatëve për deputetë. Kur akeprat të shënojnë 00:00 emrat për deputetë në 12 qarqe të vendit duhet të jenë depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Partia Socialiste do të mbledhë në orën 19:00 Kryesinë, nga ku do të dalë dhe përbërja e ekipit socialist për zgjedhjet e 11 majit. Bëhet me dije se para mbledhjes së Kryesisë, Rama do të zhvillojë një takim edhe me bordin e diasporës që drejtohet nga ministri Taulant Balla. I paqartë është vendi i Edi Ramës, i cili ka deklaruar se ende nuk ka marrë një vendim, por gjasat janë të mëdha që të mos kandidojë fare për deputet.
Emrat për deputetë kanë filluar të përfliten, por ‘garanci’ kanë tre kryebashkiakë të vendit të cilët dhanë dorëheqjen vetëm 24 orë para dorëzimit të listës për PS. I pari ishte Agron Malaj, kryebashkiaku i Matit, i ndjekur nga kryetari i Bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi dhe më pas Ervin Demo kryebashkiaku i Beratit. Arsyet e dorëheqjes nuk janë bërë ende me dije, por Malaj, Peçi dhe Demo përfliten mes emrave të kryebashkiakëve, të cilët do të të garojnë për deputetë më 11 maj. Një emër tjetër është edhe kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi. Por emrat janë ende të pakonfirmuar.
Partia Demokratike do të mbledhë po ashtu pasditen e sotme Kryesinë e kësaj force politike dhe Këshillin Kombëtar. Në orën 17:00 mblidhet Kryesia e PD dhe në orën 19:00 do të zhvillohet mbledhja e Këshillit Kombëtar. Në zgjedhjet e 11 majit, Partia Demokratike garon si pjesë e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” (ASHM) me 26 parti të tjera.
Kreu i PD Sali Berisha ka premtuar 8 vende të sigurta në lista. Nga emrat që përfliten është Fatmir Mediu, i cili do të jetë kandidat në listën e sigurtë të Tiranës, ndërsa një emër i zgjedhur nga Agron Duka do të kandidojë në Durrës, kjo për shkak se Duka ka vendosur që të tërhiqet nga karriera e tij në politikë. Koalicioni “PD-Shqipëria Madhështore” do të ketë një kandidat për deputet që do të bëjë fushatë nga qelia, Ilir Metën. Ky i fundit do të jetë në listat e hapura. Tedi Blushi dhe Erisa Xhixho janë konfirmuar në Tiranë, Edmond Haxhinasto në Elbasan, ndërsa sekretarja e përgjithshme e PL-së, Brunilda Haxhiu do të jetë në listën e mbyllur të Fierit. Nga kandidatët e tjerë, dihet vetëm që Vangjel Dule do të garojë në listën e Vlorës; ndërsa emrat e tjerë do t’i zbulojmë nesër. Gjithsesi asgjë nuk është e konfirmuar.
Në zgjedhje garojnë edhe dy koalicione të tjera, “Nisma Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit dhe “Djathtas për zhvillim” e Enkelejd Alibeajt dhe Dashamir Shehit.
Burimi