Nga kutitë e ulëta të votimit tek ngjyruesi i gishtit, problematikat e zgjedhjeve në Kosovë
PAMJE NGA NGJARJA
KOSOVË-Organizata e pavarur “Demokracia Plus” ka evidentuar disa probleme lidhur me procesin e votimit në Kosovë. Albert Krasniqi nga D+ shprehet se shënjuesi që vendoset në gisht kur voton, fshihet lehtësisht duke rritur rrezikun e votimit të dyfishtë.
“Shenjimi i gishtërinjve me ngjyrë dalluese po fshihet lehtësisht, duke rritur rrezikun e votimit të dyfishtë. Kjo përbën një hap prapa krahasuar me praktikën e mëparshme të përdorimit të ngjyrës së padukshme, pasi qytetarët mund të bien pre e presioneve për të votuar ose për të mos votuar”.
Po ashtu, sipas kësaj organizate, kutia e votimit është e ulët dhe kur votuesit ulen në karrige, vota e tyre mund të ekspozohet.
“Kabina e votimit është më e ulët dhe votuesit ulen në bankë, gjë që rrit rrezikun e cenimit të fshehtësisë së votës, veçanërisht kur një votues tjetër qëndron në këmbë”.
Sipas Krasniqit, fakti që votuesit zgjedhin 10 kandidatë, e bën të vështirë procesin, ‘pasi shumica e tyre arrijnë të zgjedhin deri në 4 preferenca’.
“Mundësia për të votuar deri në dhjetë kandidatë në listë është e panevojshme, pasi sondazhet tregojnë se shumica e qytetarëve mezi arrijnë të zgjedhin katër preferenca. Ky proces jo vetëm që e ngadalëson votimin dhe numërimin e votave, por gjithashtu forcon kontrollin e liderëve partiakë mbi deputetët. Kandidatët lokalë do ta kenë shumë më të vështirë të zgjidhen, ndërsa do të favorizohen të preferuarit e liderit, të cilët përfitojnë më shumë hapësirë mediatike”.
Në Kosovë mbahen sot zgjedhjet parlamentare, të parat të rregullta që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Në garë janë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur, si dhe katër kandidatë për kryeministër: Albin Kurti nga LVV-ja, Bedri Hamza nga PDK-ja, Lumir Abdixhiku nga LDK-ja dhe Ramush Haradinaj nga koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë. Pas përfundimit të procesit të votimit, në 941 qendra të votimit, do të nisë numërimi i fletëvotimeve për subjektet politike, gjë që mundëson publikimin e shpejtë të rezultateve paraprake./ZËRI
Burimi