Nesër, Kosova në zgjedhje parlamentare! Nga procesi i votimit tek numërimi, çfarë dihet

Nesër, Kosova në zgjedhje parlamentare! Nga procesi i votimit tek numërimi, çfarë dihet

Kandidatët për Kryeministër

KOSOVË-Rreth 2 milionë qytetarë me të drejtë vote do të përcaktojnë nesër se kush do të udhëheqë Kosovën. Këto janë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të nëntat me radhë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 dhe të parat zgjedhje të rregullta që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008. Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 7:00 e mëngjesit deri në ora 19:00. Qytetarët do të mund të zgjedhin 120 ligjvënës mes 27 subjekteve politike në zgjedhjet parlamentare. Zgjedhjet e përgjithshme mbahen edhe në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ndonëse përfaqësuesit e tyre patën bojkotuar zgjedhjet lokale të vitit 2023. Por kësaj radhe disa subjekte të vogla politike, edhe Lista Srpska që është partia më e madhe e serbëve të Kosovës merr pjesë në zgjedhje.
Procesi i votimit
Në fletëvotim, votuesit do të mund të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë. Ky është një ndryshim pas miratimit të Ligjit të ri për zgjedhjet. Në të kaluarën, qytetarët kanë pasur mundësinë të zgjedhin deri në pesë kandidatë. Secila parti e certifikuar mund të ketë deri në 110 kandidatë në listën zgjedhore. Nga këto lista do të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit me 120 ulëse dhe deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re. Qeveria aktuale në Kosovë udhëhiqet nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje. Një ekip prej 100 vëzhguesish nga Bashkimi Evropian, 18 nga Këshilli i Evropës dhe dhjetëra të tjerë nga organizata ndërkombëtare, do të ndjekin votimet e së dielës.
Sipas raportimeve, pas përfundimit të procesit të votimit, në 941 qendra të votimit, do të nisë numërimi i fletëvotimeve për subjektet politike, gjë që mundëson publikimin e shpejtë të rezultateve paraprake. Zëdhënësi i KQZ-së bën me dije se nesër në vendvotime do të numërohet vetëm pjesa e fletëvotimit ku qytetarët kanë votuar për subjektet politike.
“Sipas planifikimeve, është bërë shpërndarja e materialit zgjedhor, përfshirë dhe fletëvotimet, për në komunat e Republikës së Kosovës. Materialet janë vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit dhe në orët e hershme të së dielës, do të shpërndahet në qendrat e votimit, në të cilat procesi i votimit do të fillojë në orën 07:00. Numri i qendrave të votimit të cilat do të hapen më 9 shkurt 2025 është 941, prej të cilave 903 për votimin e rregullt me gjithsej 2,533 vendvotime dhe 38 qendra të votimit për votimin me kusht, nga një për çdo komunë, me gjithsej 56 vendvotime. Numri i qytetarëve me të drejtë vote, emrat e të cilëve janë të shpërndarë ne 903 qendra të votimit apo në 2,533 vendvotimet e tyre, pra për votimin brenda në Kosovë, është: 1,970,944”, tha Elezi.
Ai ka folur edhe lidhur me vënien e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit. Siç deklaroi dhe KQZ më herët kjo bëhet me qëllim garantimin e sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në qendrën e votimit.
“Vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qellim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim. Vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës, pasi ato do të vendosen në skajin tjetër të vendit ku do të jetë kabina e votimit dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të regjistrojë shënjimin e preferencës së votuesit. Ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, me përjashtim të atyre nga vendvotimet ku evidentohen parregullsi me qellim që t’iu ofrohen institucioneve ligj zbatuese. Në ditën e zgjedhjeve, KQZ nuk do t’i monitoroje këto kamera, pra regjistrimi nga ana e tyre do të behet në mënyrë pasive dhe se qasja në videoregjistrime mund të sigurohet vetëm me vendim apo kërkesë të institucioneve ligj zbatuese”, u shpreh ai.
Votuan sot për herë të parë shqiptarët e Kosovës që jetojnë në diasporë
Shqiptarët e Kosovës që jetojnë në diasporë votuan sot në 16 ambasada e 14 konsullata në 19 shtete për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 15:00 kanë votuar 10.306 persona apo 50.91 për qind e votuesve të regjistruar. Në përfundim të votimit rezultoi se nga 20 mijë të regjistruar kanë votuar 14,463 votues të diasporës, ndërsa për Europën rreth 71 %. Në total ishin regjistruar 105 mijë qytetarë nga Diaspora për të votuar, ku 85 mijë kishin të drejtë të votonin online, ndërsa 20.324 persona do të votonin fizikisht ditën e sotme në vendvotimet e hapura në kosullatat dhe ambasadat e Shtetit të Kosovës.
Të drejtën e votës e ushtruan nga Haga edhe ish-komandantët e UÇK-së
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi i cili tha se shtetasit e Kosovës kanë realizuar të drejtën kushtetuese sipas procedurave dhe akteve nënligjore të KQZ-së.
“Mund t’iu konfirmoj se shtetasit e Kosovës që ndodhen në Dhomat e Specializuara, në Hagë, kanë realizuar të drejtën kushtetuese dhe kanë votuar në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, sipas procedurave dhe akteve nënligjore të KQZ-së”, tha Elezi.
Ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë janë ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi.
Kandidatët për Kryeministër
Në këto zgjedhje garojnë 28 forca politike, 20 prej tyre janë parti, 5 koalicion, 2 lista qytetare dhe një kandidat i pavarur. Ndërsa kandidatët për kryeministër janë Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili kërkon një mandat të dytë, Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. 
Fushatë politike me gjuhë nxitëse e urrejtjeje
Fushata u karakterizua nga përplasje politike, sfida ekonomike, premtime për ndryshim, gjuhë urrejtjeje kundër kandidatëve, dhe publikime të sondazheve të manipuluara. Partive politike iu ishte caktuar një buxhet prej 2 milionë eurosh, ndërsa pritet që bilanci të publikohet 30 ditë pas rezultateve. Por, sipas shifrave të publikuara në Facebook, kandidatët kanë shpenzuar më shumë se 200 mijë euro në sponsorizime. Për një muaj rresht subjektet politike që synojnë të udhëheqin qeverinë për mandatin e ardhshëm katër vjeҫar shpalosën programet e tyre zgjedhore. Ndër subjektet më të mëdha politike që garojnë në këto zgjedhje janë, Lëvizja Vetëvendosja VV e udhëhequr nga Albin Kurti, Lidhja Demokratike e Kosovës LDK, e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku, Partia Demokratike e Kosovës PDK me kandidatin e saj për kryeministër Bedri Hamza, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. 
Qëndrimet e BE dhe SHBA
Votimet e së dielës do të përcaktojnë se kush do të udhëheqë Kosovën në bisedimet e ngecura të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë kërkuar të dyja palëve të zbatojnë marrëveshjen e arritur gati dy vjet më parë sipas së cilës Kosova duhet të themelojë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi të njohë ‘de facto’ pavarësinë e Kosovës. Kryeministri Albin Kurti është kritikuar nga fuqitë perëndimore për veprimet qeverisë së tij në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe. Bashkimi Evropian edhe më tej ka lënë në fuqi masat ndëshkuese ndaj Kosovës. Çështja e marrëdhënieve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara është bërë këto ditë objekt diskutimesh pas dy postimeve në rrjetin social X nga i dërguari i Presidentit Trump për misione të posaçme Richard Grenell, i cili në administratën e parë ishte i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë – Serbi.
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt të vitit 2021. Ato u fituan nga Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga Albin Kurti, me mbi 50 për qind./ZËRI
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente