“Nëse e doni për punë, këtu e keni”, Edi Rama zyrtarizon emrin e Vangjel Tavos si kandidat për kryebashkiak në Himarë
Edi rama dhe vangjel tavo
TIRANË- Kryeministri dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka mbledhur mëngjesin e kësaj të hëne kryesinë, ku u miratua emri i Vangjel Tavos si kandidat për kryetar në Bashkinë e Himarës, ndërsa zgjedhjet janë dekretuar në datën 4 Gusht.
Rama ka shkuar i bindur në mbledhje duke propozuar emrin e Vangjel Tavos përpara anëtarëve të Kryesisë, i cili më pas ka marrë dakordësinë e të gjithë anëtarëve. Tavo, një ish-deputet i LSI-së, u emërua disa muaj më parë në postin e prefektit të Vlorës.
Edhe gjatë vizitave që ka pasur në Himarë, Rama ka lënë të kuptohet se Tavo është kandidati më i mundshëm, duke e cilësuar si një njeri të punës dhe të bashkimit dhe jo të fjalëve.
Gjatë vizitave që ka pasur në Himarë dhe Dhërmi, Rama u ka thanë banorëve të këtyre zonave se “nëse e duan për punë kanë Vangjel Tavon. Ndërsa nëse duan sherr kanë Vangjel Dulen”.
Sekretari i përgjithshëm i partisë socialiste, Blendi Klosi, tha se socialistët do të bëjnë një garë të qetë për Bashkinë e Himarës, ndërsa për Tavon tha se është një njohës i mirë i problemeve në zonën e Himarës.
‘Vjen si një figurë e njohur politike, njohës i asaj zone, i asaj krahine. Garat elektorale e kanë përgatitur atë që të jetë përfaqësuese e atij komuniteti. 4 gushti është shumë afër. Do të kemi një garë të qetë elektorale. Shkojmë për të pasur një fushatë të qetë”, u shpreh Blendi Klosi gjatë mbledhjes.
Sa i takon zgjedhjeve të Himarës, pjesëmarrja e opozitës është ende në pikëpyetje, pasi ata e konsideruan shpalljen e datës 4 Gusht nga ana e Presidentit Bajram Begaj si antikushtetuese. Më herët si një kandidat i mundshëm përballë Tavos, është lakuar emri i djalit të Fredi Belerit.
Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar datën 4 gusht për mbajtjen e zgjedhjeve të reja për Bashkinë e Himarës. Vendimi i Beqajt erdhi pas mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që i hoqi mandatin kryebashkiakut të zgjedhur të Himars, Fredi Beleri. KQZ i hoqi mandatin Belerit, pasi ky i fundit u shpall fajtor dhe u dënua me 2 vite burg për shitblerje votash.
/ZËRI
Burimi