Mashtrime me vizat, arrestohen 44 persona në Itali! Sekuestrohen 6 mln euro. Lidhja me Camorra-n
Foto ilustruese
ITALI- 44 persona janë arrestuar në Itali për mashtrim me viza migrante. Këtë e bëjnë me dije autoritete italiane, një javë pasi kryeministrja Giorgia Meloni u ankua se grupet mafioze po shfrytëzonin sistemin për përfitime. Dyzet e katër persona u kapën, 13 prej të cilëve janë lënë në burg, 24 në arrest shtëpie dhe shtatë në paraburgim. Ata akuzoheshin për krime të ndryshme, si organizatë kriminale që synonte nxitjen e emigracionit të paligjshëm, pastrim parash dhe faturim të rremë.
10 të dyshuarve të tjerë u ndaluan nga aktiviteti biznesor për 12 muaj, shkruajnë mediat huaja. Sipas një deklarate të prokurorëve nga qyteti jugor i Salernos, pranë Napolit, të dyshuarit kanë paraqitur aplikime mashtruese për viza në emër të migrantëve, të cilët kanë nevojë për sponsorizimin e punëdhënësve për të filluar procesin. Ata depozituan rreth 2,500 aplikime nga viti 2020 e tutje, bazuar në të dhëna joekzistente ose të falsifikuara, bëjnë me dije prokurorët, duke shtuar se emigrantët paguanin deri në 7,000 euro secili për të shtyrë procesin përmes qarqeve të ndryshme burokratike.
Pasuri me vlerë rreth 6 milionë euro u sekuestruan si fitime nga krimet e supozuara, thanë prokurorët, duke treguar se disa nga të dyshuarit e akuzuar për pastrim parash ishin të lidhur me Kamorrën, mafien në Napoli dhe përreth. Duke folur me gazetarët, kryeprokurori i Salernos, Giuseppe Borrelli tha se hetimet u përshpejtuan pasi Meloni në qershor tha se kishte raportuar shqetësimet e saj për mashtrim të mundshëm me viza te prokurori kombëtar anti-mafia.
Si pjesë e qëndrimit të saj të ashpër ndaj imigracionit, qeveria e djathtë e Melonit ka miratuar një sërë masash për të frenuar ardhjet e emigrantëve, por gjithashtu ka zgjeruar kanalet e ligjshme të imigracionit në përgjigje të mungesës në rritje të fuqisë punëtore. Vitin e kaluar rriti kuotat e vizave të punës për shtetasit jashtë BE-së në një total prej 452,000 për periudhën 2023-2025, një rritje prej afro 150% nga tre vitet e mëparshme. Në vitin 2019, para pandemisë COVID-19, Italia lëshoi vetëm 30,850 viza.
Sistemi është i mbiabonuar masivisht, me 151,000 vende të disponueshme vetëm për vitin 2024 dhe gati 244,000 kërkesa të bëra në 10 ditët e para të hapjes së procedurës, sipas ministrisë së brendshme. Muajin e kaluar Meloni tha se një sasi joproporcionale aplikimesh kishin ardhur nga Campania, rajoni ekonomikisht i depresionuar që përfshin Napolin dhe mafien e tij Camorra, duke ngritur alarmim.
Mbrojtësit e të drejtave të emigrantëve thonë se burokracitë e tepërta lehtësojnë abuzimin e vizave dhe, duke bërë thirrje për një reformë të sistemit, thonë se zakonisht përfitojnë emigrantët pa dokumente tashmë në Itali, të cilët përdorin kuotat për të legalizuar situatën e tyre./ZËRI
Burimi