
Kryetarja e deleguar e Bashkisë Tiranë shkarkon Goxhajn dhe Dokushin
Anuela Ristani, Alban Dokushi dhe Sara Goxhaj
TIRANË-Kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani ka shkarkuar nënkryetaren Sara Goxhaj dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Alban Dokushi. Shkarkimet vijnë një ditë pasi, Ristani u riemërua në krye të Bashkisë së Tiranës.
Në vend të Dokushit me urdhër të Ristanit është komanduar si Sekretare të Përgjithshme e Bashkisë së Tiranës, Jonida Halili. Kjo e fundit mbante detyrën e nënkryetares së Bashkisë së Tiranës.
Tre ditë më parë, kryebashkiaku Erion Veliaj nxori një urdhër, ku i jepte kompetencat e tij pikërisht Sara Goxhajt, që sot u shkarkua. Ndërkohë ditën e djeshme (20 mars), fillimisht në media u publikua dokumenti që tregonte se si kryebashkiaku Erion Veliaj nga qelia e paraburgimit kishte shkarkuar kryetaren e komanduar Anuela Ristani, për ta zëvendësuar me Sara Goxhajn. Më pas u raportua se kryeministri Edi Rama nuk ka qenë dakort me këtë lëvizje dhe ka kërkuar rikthimin e Ristanit. Për të sqaruar çfarë ndodhi me emërimet, Veliaj u shpreh se ridelegimi i kompetencave te Sara Goxhaj ishte keqkuptim, pasi ky emër nuk ishte dakordësuar me ekipin drejtues./ZËRI
Burimi