Kryenegociatori i Serbisë: Prishtina “po e vret” dialogun për normalizimin e marrëdhënieve

Kryenegociatori i Serbisë: Prishtina “po e vret” dialogun për normalizimin e marrëdhënieve

Petar Petkoviç

BEOGRAD- Kryenegociatori i Serbisë në bisedimet me Kosovën, Petar Petkoviç, tha se “Prishtina po e vret” dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Petkoviç dhe kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, u takuan të martën në Bruksel për një rund të ri bisedimesh, të ndërmjetësuara nga përfaqësuesi i BE-së, Mirosllav Lajçak, por që përfundoi pa ndonjë marrëveshje.
Palët diskutuan, mes tjerash, për Marrëveshjen Bazë drejt normalizimit të marrëdhënieve, për Aneksin e zbatimit të saj, për të zhdukurit në luftë dhe për një marrëveshje për energjinë.
Petkoviç tha në një postim në X të mërkurën se Bislimi i “refuzoi” dhe “kritikoi” të gjitha këto.
Në komunikatën për media që lëshoi Bislimi të martën u tha, mes tjerash, se pala serbe refuzoi të angazhohej në diskutime për miratimin e planit të zbatimit dhe zyrtarizimit të Marrëveshjes Bazë, bazuar në garancitë e kërkuara në takimin e liderëve, javën e kaluar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ishin më 26 qershor në Bruksel, por zhvilluan vetëm takime të ndara me ndërmjetësuesit evropianë, pasi Kurti e kushtëzoi takimin me Vuçiçin me tri kërkesa: nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë, tërheqjen e letrës me të cilën Serbia refuzoi zyrtarisht ta zbatonte marrëveshjen me Kosovën, dhe dorëzimin në Kosovë të Millan Radoiçiçit, i dyshuar për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë.
Vuçiç i refuzoi këto kërkesa dhe takimi i tij direkt me Kurtin nuk u realizua. Pas bisedimeve të djeshme mes kryenegociatorëve, Lajçak shkroi në X se “është rënë dakord për një sërë hapash në vazhdim”, por nuk dha detaje.
Normalizimi i marrëdhënieve është kusht për Kosovën dhe Serbinë që të përparojnë në rrugën e integrimit evropian.
Palët janë në negociata qysh në vitin 2011, por pak prej marrëveshjeve të arritura janë zbatuar./REL
Burimi