Kapet një bandë hajdutësh në Athinë, “koka” e grupit nga Shqipëria. Ra nga ballkoni teksa i ikte Policisë
Foto ilustruese
GREQI- Departamenti i Krimeve Kundër Pronës në Drejtorinë e Sigurimit të Athinës ka shkatërruar një grup kriminal që vepronte në qendër të qytetit, duke kryer grabitje dhe vjedhje në dyqane dhe banesa. Në kuadër të hetimit janë arrestuar tre persona, përkatësisht një shqiptar, një sirian dhe një grek. Të arrestuarit janë Pllumb Cara alias Pllumb Rusi, 39 vjeç nga Sukthi i Durrësit, Yasin Badawi 30 vjeç nga Siria dhe shtetasi grek Evstathios Borgidis, 60 vjeç.
Sipas mediave greke, grupi kishte filluar aktivitetin e tij kriminal që nga nëntori i vitit 2023, duke kryer grabitje të armatosura në dyqane dhe minimarkete, veçanërisht në ato të drejtuara nga shtetas aziatikë, dhe më pas vazhduan me vjedhje dyqanesh dhe banesash në zona të ndryshme të Athinës, si Sintagma, Agios Panteleimonas, Kaisariani, Pagrati, Virona dhe Zografou.
Pllumb Cara, 39-vjeçari shqiptar, kishte një rol kyç në grup, duke vepruar si autor në grabitje dhe si udhëheqës në vjedhje. Ai përzgjidhte objektivat dhe koordinonte grupin gjatë aksioneve. Cara dhe Borgidis kryenin grabitjet duke pretenduar se ishin policë dhe kërcënonin punonjësit me pistoleta për të marrë para. Ndërkohë, 30-vjeçari sirian, thente dyert dhe vidhte dyqanet, nën mbikëqyrjen e Carës.
Policia greke ndërpreu veprimtarinë e grupit më 6 shtator 2024, kur arrestuan 39-vjeçarin shqiptar dhe 60-vjeçarin grek në momentin që po kryenin një vjedhje në një banesë në Kypseli. Gjatë arratisjes, Cara mbeti i plagosur pasi ra nga ballkoni dhe aktualisht ndodhet në spital. 30-vjeçari sirian u arrestua më vonë, pasi tentoi të shmangte kapjen nga policia.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi armë ajrore, kopje pistoletash, sfera metalike, fishekë gjuetie, drogë dhe sende të vjedhura. Deri më tani janë zbuluar 2 grabitje dhe 19 vjedhje në Athinë, ndërsa hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale.
Pllumb Cara rezulton me precedentë penalë në Greqi për vjedhje, grabitje dhe shkelje të ligjeve mbi drogat dhe emigracionin./ ZËRI
Burimi