
Kandidati rumun pro-rus lejohet të garojë në zgjedhjet presidenciale
George Simion
BUKURESHT- Autoritetet zgjedhore në Rumani i mundësuan udhëheqësit të një partie ultranacionaliste të garojë në zgjedhjet presidenciale të vendit, që do te mbahen në muajin maj. Vendimi u mor disa ditë pasi Gjykata Kushtetuese la në fuqi masën që i ndalon populistit të ekstremit të djathtë, Calin Georgescu, pjesëmarrjen në zgjedhje.
Bordi Qendror Zgjedhor e miratoi kandidaturën e George Simionit, udhëheqës i Aleancës për Unitetin e Rumunëve (AUR) dhe aleat i Georgescut, më 15 mars – një ditë pasi Simion paraqiti kërkesën e tij për regjistrim si kandidat. Simion dhe Anamaria Gavrila, udhëheqëse e Partisë së të Rinjve (POT) të ekstremit të djathtë dhe ish-anëtare e AUR-së, thanë në fillim të kësaj jave se do të përpiqen të hyjnë në garë dhe nëse të dyve u mundësohet, njëri do të tërhiqet.
Gavrila pritej ta dorëzonte aplikimin e saj më 15 mars, kur ishte edhe afati i fundit për ta bërë këtë. Po këtë ditë, Bordi Qendror Zgjedhor e refuzoi kandidaturën e një tjetër politikaneje të së djathtës ekstreme, kryetares së partisë SOS Rumania, Diana Sosoaca, dhe miratoi kandidaturën e politikanes së qendrës pro-evropiane, Elena Lasconi.
Sosoaca ishte refuzuar edhe kur zgjedhjet u mbajtën në nëntor. Georgescu, i cili është kritik ndaj NATO-s dhe kundërshton mbështetjen rumune për Ukrainën, ishte fituesi surprizë i më shumë votave në rundin e parë të zgjedhjeve, më 24 nëntor. Simion u rendit i katërti.
Pas atyre zgjedhjeve, inteligjenca rumune tha se aktorë të huaj, me shumë gjasa nga Rusia, kishin manipuluar platformat e mediave sociale, veçanërisht TikTok-un, në favor të Georgescut. Më 6 dhjetor – derisa pritej balotazhi mes Georgescut dhe Lasconit – Gjykata Kushtetuese i anuloi zgjedhjet presidenciale. Më pas, ato u caktuan për datën 4 maj, ndërsa balotazhi – nëse do të jetë i nevojshëm – do të mbahet më 18 maj./REL
Burimi