“Je i shkarkuar”! Trump “hakmerret”, i heq të drejtën Biden për informacionet sekrete: S’ka kujtesë
Joe Biden dhe Donald Trump
SHBA-Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se po i revokon lejen e sigurisë ish-presidentit, Joe Biden dhe të drejtën në informacionet sekrete, pasi paraardhësi i tij bëri të njëjtën gjë me të katër vjet më parë, sipas BBC.
“Nuk ka nevojë që Joe Biden të vazhdojë të marrë akses në informacionin e klasifikuar. Prandaj, ne po revokojmë menjëherë lejet e sigurisë të Biden dhe po ndalojmë njoftimet e tij të përditshme të inteligjencës. JOE, JE I SHKARKUAR”, tha Trump.
Trump tashmë ka revokuar lejen e sigurisë për më shumë se katër duzina ish-zyrtarësh të shërbimeve sekrete, të cilët ai i akuzoi për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2020 në favor të Biden.
Trump postoi të premten në mbrëmje se Biden “krijoi këtë precedent në vitin 2021, kur ai udhëzoi Komunitetin e Inteligjencës (IC) të ndalonte presidentin e 45-të të Shteteve të Bashkuara (ME!) të aksesonte detajet mbi Sigurinë Kombëtare, një mirësjellje e dhënë për ish-presidentët”.
Ai tha se Bidenit “nuk mund t’i besohej informacioni i ndjeshëm”, duke përmendur një hetim të Departamentit të Drejtësisë për ruajtjen e dosjeve sekrete nga demokrati, i cili arriti në përfundimin se megjithëse nuk kishte nevojë të ngrihej akuza penale, Biden kishte një kujtesë të dobët.
Në vitin 2021, Biden e ndaloi Trumpin nga marrja e informacioneve të fshehta të inteligjencës, hera e parë që një ish-presidenti i ishte mohuar ndonjëherë një informacion i tillë, i cili tradicionalisht jepet si mirësjellje. Ai e justifikoi masën duke thënë se Trump nuk mund t’i besohej për shkak të “sjelljes së tij të çrregullt”, madje edhe para trazirave të Kongresit të SHBA-së në vitin 2021, të cilën demokratët e akuzuan Trumpin se e nxiti në ditët e fundit të mandatit të tij të parë./ZËRI
Burimi