
Ishte në ‘listën’ e Laert Haxhiut për t’u ekzekutuar, KPA kthen në detyrë prokuroren Merita Selimi

Merita Selimi
TIRANË-Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi me shumicë votash të rikthejë në detyrë prokuroren e Lushnjës Merita Selimi, duke rrëzuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që e pati shkarkuar nga detyra në korrik të vitit 2023.
Prokurorja Selimi, për të cilën KPK-ja konstatoi probleme me burimet financiare të një apartamenti në Tiranë dhe me likuiditetet, kishte urdhër-mbrojtjeje.
Merita Selimi u mor në mbrojtje nga Policia e Lushnjës, pas dyshimeve se ajo do të ishte në shënjestër të Laert Haxhiut, i cili pretendohet se kishte planifikuar ekzekutimin e saj. Informacioni u sigurua pas dëshmisë së bashkëpuntorit të prokurorisë, Artan alias Marjus Tafani, i cili tha se Laert Haxhiu dhe persona të tjerë të grupit kriminal, ishin vënë në lëvizje për të vrarë prokuroren e Lushnjës, Merita Selimi.
Prokurorja e Lushnjës, Merita Selimi në muajin Korrik 2023 u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (Vetting). Gjatë karrierës së saj, prokurorja hetoi Laert Haxhiun, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin për masakrën e vitit 2017, ku mbeti i vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Bujar Turku dhe Marjus Xhepexhiu. Ndërsa prokurori Ridvan Suka ka në dorë dosjen e Çapajve. Ai u mor në mbrojtje pasi kishte deklaruar në KLP se i rrezikohet jeta atij dhe familjes së tij./ZËRI