
Gjykata “anulon” planin për mbylljen e USAID: Cënohet Kushtetuta!
Foto ilustruese
SHBA- Një gjykatës federal ka bllokuar administratën Trump nga ‘ndërmarrja’ për të mbyllur përfundimisht Agjencinë e SHBA për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Në një vendim të marrë ditën e djeshme, gjykatësi Theodore Chuang tha se përpjekjet e udhëhequra nga aleati i Trump, Elon Musk dhe Departamenti për Efiçencën e Qeverisë (Doge) për të mbyllur agjencinë ka të ngjarë të shkelin kushtetutën e SHBA “në shumë mënyra”.
Chuang urdhëroi Doge të rikthente aksesin në kompjuterët dhe sistemet e pagesave të USAID-it për punonjësit, duke përfshirë ata që ishin lënë ‘në pushim’, pra ishin pezulluar nga detyra. Gjyqtari gjithashtu vendosi që largimi i punonjësve të USAID-it duhet të ndalet, por nuk urdhëroi rikthimin e punonjësve që tashmë janë pushuar. Vendimi u mor pas kallëzimit të ngritur nga 26 punonjës të USAID-it që ende nuk janë identifikuar, të cilët pretendojnë në dosjet gjyqësore se Musk po ndjek “një model për çmontimin e departamenteve të qeverisë amerikane.
Musk dhe Doge argumentuan në dokumentet e gjykatës se roli i Musk është vetëm këshillues. Por gjykatësi Chuang vendosi se Musk dhe Doge duan të ushtrojnë kontroll mbi USAID-in dhe duke e bërë këtë “ka të ngjarë të shkelnin Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara në mënyra të shumta dhe se këto veprime dëmtonin jo vetëm paditësit, por edhe interesin publik”.
DOGE dhe Musk u urdhëruan gjithashtu të dorëzojnë një marrëveshje me shkrim brenda dy javësh që siguron që stafi i USAID të rikthehet në seli. Nga ana tjetër, administrata Trump e kritikoi vendimin.
“Gjyqtarët mashtrues po përmbysin vullnetin e popullit amerikan në përpjekjet e tyre për të ndaluar Presidentin Trump të zbatojë axhendën e tij,”- tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Anna Kelly, duke e quajtur vendimin një “shkelje drejtësie” dhe duke u zotuar se do të ketë një apelim.
Norm Eisen, kryetar ekzekutiv i Fondit të Mbrojtësve të Demokracisë së Shtetit, i cili përfaqësonte punonjësit e USAID-it, e quajti vendimin “një moment historik në shtyrjen e paligjshmërisë së Musk dhe Doge”.
“Ata po kryejnë operacione me sharrë elektrike me zinxhir në vend të një bisturie, duke dëmtuar jo vetëm njerëzit që u shërbejnë USAID-it, por edhe shumicën e amerikanëve që besojnë në stabilitetin e qeverisë sonë,”- tha Eisen.
Vendimi për USAID është pengesa e radhës ligjore për administratën Trump. Kritikët e administratës Trump thonë se përpjekjet e saj për të mbyllur agjencinë do të gjymtojë ndikimin amerikan jashtë vendit dhe do të ketë efekte shkatërruese për disa nga popullsitë më të cenueshme në botë, të cilat mbështeteshin në fondet e SHBA për kujdesin shëndetësor, ushqimin dhe nevoja të tjera bazë.
Çfarë ka ndodhur me fondet e USAID?
Në ditën e tij të parë në detyrë më 20 janar, Presidenti Donald Trump vendosi një ngrirje 90-ditore të të gjithë ndihmave që jep Amerika për vendet e tjera. Trump caktoi 90 ditë kohë që instancat të kontrollonin se ku dhe për çfarë jepen fondet; nëse ishin në koherencë me parimet dhe vlerat amerikane, fondet do të vazhdojnë të lëvrohen. Edhe në Shqipëri erdhi një listë me të gjitha institucionet që do t’u ndërpritej përkohësisht burimi i të ardhuravre nga Amerika. Pas kontrollit, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, njoftoi se administrata Trump vendosi mbylljen e 83% të programeve të ofruara nga USAID. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “X”, Rubio sqaroi se arsyeja është keqpërdorimi i miliarda dollarëve që nuk përputheshin me interesat amerikane./ZËRI
Burimi