
“Fije shprese”: Mbështetje për Radion Evropa e Lirë dhe drojë për të ardhmen e saj
Foto ilustruese
SHBA- Mes përpjekjeve të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për t’ia ndalur fondet Radios Evropa e Lirë (REL), audienca e saj në disa nga vendet ku ka transmetim, shpreh mbështetje dhe admirim për gazetarinë që bën. Nga Irani në Bjellorusi, nga Afganistani në Rusi e nga Pakistani në Ukrainë – lexuesit dhe dëgjuesit i vlerësojnë gazetarët e Radios Evropa e Lirë për raportimin e tyre të guximshëm, të paanshëm dhe të ndershëm, dhe shprehen të shqetësuar se puna e tyre mund të ndalojë.
“Unë jetoj në një fshat të vogël. Ne nuk kemi internet satelitor apo stabil. Radioja juaj më jep shpresë,”- shkroi një dëgjues nga Irani në një mesazh në Telegram për Radio Farda-n – shërbimin në gjuhën persiane të Radios Evropa e Lirë.
Një tjetër dëgjues nga Irani shkroi në mediat sociale se Radio Farda “është burimi im kryesor i informacionit, për shkak të raportimit të paanshëm dhe profesional”.
“Humbja e saj do të ishte shumë e vështirë. Shpresoj që kjo ditë të mos vijë kurrë”, shkroi ai.
Më 14 mars, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv, që synon reduktimin e shtatë agjencive federale, përfshirë Agjencinë Amerikane për Media Globale (USAGM), e cila mbikëqyr Radion Evropa e Lirë dhe transmetues të tjerë të financuar nga taksapaguesit amerikanë, si Zëri i Amerikës. Pas publikimit të urdhrit ekzekutiv, Kari Lake, këshilltare e lartë e ushtruesit të detyrës së drejtorit ekzekutiv të USAGM-së, dërgoi një letër, ku tha se granti i miratuar nga Kongresi për Radion Evropa e Lirë, është ndërprerë. REL-i, megjithatë, është duke vazhduar punën dhe më 18 mars ngriti një padi federale, për të bllokuar përpjekjen për ndërprerjen e fondeve.
Ndryshe nga Zëri i Amerikës, që është një agjenci federale, REL-i është korporatë private, jofitimprurëse, me selinë editoriale në Pragë.
Reagimet në Kosovë për mbylljen eventuale të REL-it
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë riafirmoi rolin thelbësor të Radios Evropa e Lirë në promovimin e gazetarisë së besueshme në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Zëdhënësja Ioanna Lachana tha se nga ndalja e punës së REL-it do të përfitonin “vetëm ata që përhapin narrativë përçarës”. Ambasada gjermane në Kosovë e përshkroi REL-in si “fener të raportimit të lirë dhe të paanshëm” dhe konfirmoi se BE-ja po shqyrton mënyra për ta mbështetur atë.
Për eksperten kosovare të medias, Flutura Kusari, ndërprerja e fondeve për REL-in paraqet një goditje serioze mbi informimin publik.
“Radio Evropa e Lirë është shembull i gazetarisë së përgjegjshme në Kosovë”, tha Kusari, këshilltare ligjore pranë Qendrës Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias. Ish-kryeredaktori i programit për Kosovën në Radion Evropa e Lirë, Melazim Koci, tha se mbyllja e mundshme e REL-it do të ishte një “fatkeqësi” për lirinë e medias dhe demokracinë.
Ndërsa, gazetari dhe publicisti Enver Robelli e vlerësoi REL-in si një prej burimeve më të besueshme të informacionit për botën shqiptare.
“Depërtoi në errësirën e gënjeshtrave”
Në Ukrainë, ku Radio Evropa e Lirë mbulon pushtimin rus nga vijat e para të frontit, që kur u urdhërua nga presidenti rus, Vladimir Putin, në shkurt të vitit 2022, lexuesi Oleh Prozorov e falënderoi Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë për “mbrojtjen e lirive politike”.
“Ndonjëherë ishte si një rreze drite që depërtonte në errësirën e gënjeshtrës”, shkroi Prozorov në Facebook.
Në një mesazh për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë, lexuesja Lesya Bondaruk shprehu frikë për humbjen e “një bastioni të lirisë së vërtetë të fjalës dhe mendimit”.
“Sulmi ndaj REL-it është sulm ndaj lirisë së fjalës së njerëzimit. Kjo nuk mund të lejohet”, shkroi ajo.
Lexuesit dhe shikuesit e shërbimeve në gjuhën ruse të Radios Evropa e Lirë shprehën, po ashtu, mirënjohje për mbulimin e ngjarjeve në Rusi – nga përkeqësimi i lirisë së mediave nën udhëheqjen 25-vjeçare të Putinit deri te pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës.
“Unë jam në Rusi, i zhytur në propagandën zombifikuese, djallëzore të Kremlinit. Current Time është i vetmi kanal televiziv në gjuhën ruse, të cilit mund t’i besohet, me informacione objektive dhe shumë dokumentare”, shkroi një shikues duke iu referuar kanalit televiziv 24-orësh të REL-it.
“Jam i mahnitur pafundësisht nga gazetarët tuaj – që rrezikojnë të punojnë në zonat e vijës së frontit – nga profesionalizmi dhe niveli i lartë i gazetarisë”, shkroi një tjetër shikues i Current Time në një mesazh për rrjetin.
“Fije shprese” në Afganistan
Qindra mesazhe dhe thirrje erdhën edhe nga dëgjuesit e Radios Evropa e Lirë në Afganistan dhe Pakistan. Ata shprehin shqetësim të thellë për fatin e Shërbimit afgan, i njohur në vend si Radio Azadi, dhe për Shërbimin e Pakistanit, i njohur si Radio Mashaal.
“Radio Azadi është shumë i rëndësishëm për ne. Më mban të informuar për botën. Unë e dëgjoj atë ditë e natë, si në radio, ashtu edhe në telefonin tim”, shkroi dëgjuesi i Radio Azadit, Haji Khodaiberdi, në një mesazh në WhatsApp.
“Radio Azadi është një fije shprese për vendet që shpesh harrohen. Programet e saj i lidhin njerëzit nga fshatrat e vegjël me botën. Duke jetuar në një fshat të largët me vetëm një radio, zëri i saj është vërtet ngushëllues”, shkroi dëgjuesi Safa Mehr.
Një tjetër dëgjues, Nabiullah Zabuli, nga provinca jugore e Afganistanit, Zabul, i bëri thirrje Trumpit dhe “të gjithëve që mund të ndikojnë në këtë vendim, që ta rishqyrtojnë shkurtimin e fondeve për Radio Azadin”.
“Ju lutem, mos i tradhtoni miliona dëgjues tuaj besnikë! Mbajeni të gjallë këtë fener informacioni”, shkroi ai.
Heela Darkhast Ahmadzai, një dëgjuese e Radio Azadit dhe asaj Mashaal, shkroi në një postim në Facebook se të dyja kanalet janë “burime të ndriçimit të mendjes”.
“Ne gratë pashtune mësuam shumë nga këto dy radio-stacione. Mësuam për të drejtat tona, arsimin dhe botën”, shkroi ajo.
Një tjetër dëgjues i Radio Mashaalit, Ebadullah Khan, nga qarku Shangla në Pakistanin veriperëndimor, shkroi në Facebook se gazetarët e saj “e bëjnë punën e tyre me guxim” dhe se “përpjekjet e tyre gazetareske në përhapjen e ndërgjegjësimit mes njerëzve, janë të mëdha”.
“Kjo histori duhet të vazhdojë”
Në Bjellorusi, ku Qeveria e autokratit Aleksandr Lukashenko i ka zhdukur pothuajse plotësisht mediat e pavarura, Shërbimi në gjuhën bjelloruse i Radios Evropa e Lirë është një prej pak organizatave të lajmeve që vazhdon të raportojë në mënyrë kritike për autoritetet. Pas pushtimit rus të Ukrainës, një lexues me emrin Zmitrok Siemieniuk tha se menjëherë nxitoi për të mësuar se çfarë po ndodhte dhe hasi në kanalin YouTube të Radio Svabodës.
“Kishte miliona shikime, të cilat më ndihmuan të kuptoja se çfarë po ndodhte në të vërtetë, dhe unë ende i shikoj kanalet e Radio Svabodës”, shkroi ai në Instagram.
“Ju jepni lajme pa propagandë dhe urrejtje. Mund të mësoj për ngjarjet më të rëndësishme që ndodhin në botë. Dhe, natyrisht, këtu mund t’i lexoj lajmet në gjuhën time amtare”, tha ai.
Një tjetër lexuese, Tatsiana, tha se Radio Svaboda “është i vetmi vend në botë ku unë mund të ndihem vërtet si qytetare e një Bjellorusie të lirë evropiane”.
“Në vitin 2020, miliona bjellorusë që morën pjesë në revolucionin paqësor kundër autoritarizmit brutal të Lukashenkës, përqafuan vlerat e Radio Svabodës, ndërsa ajo i transmetonte drejtpërdrejt këto ngjarje historike – në kohë reale”, shkroi ajo në një mesazh privat.
“Misioni i saj mbetet i papërfunduar sot – kjo histori duhet të vazhdojë”./REL
Burimi