
EMRAT/ Aksident tragjik në Fushë Prezë, automjeti përplaset me betonieren, 4 të rinj digjen brenda makinës

Pamje nga vendi i ngjarjes
TIRANË– Një aksident tragjik ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Fushë Prezë. 4 të rinj kanë ndërruar jetë pasi makina me të cilën ata udhëtonin është përplasur me një betoniere të parkuar dhe si pasojë ka shpërthyer në flakë. Si pasojë e flakëve janë djegur brenda mjetit katër persona, shoferi dhe tre pasagjerë në mjet; dy prej të cilëve vëllezër.
Viktimat e aksidentit janë: Enejdi Laçi, Erildi Laçi, Andi Laçi dhe Enrikejd Kurti. Enejdi Laçi e kishte blerë mjetin tip ‘Benz’ me targa AB 558 MG vetëm para pak ditësh para se të ndërronte jetë sot në mënyrë tragjike. Ndërkohë shoferi i betonieres me të cilën u përplas automjeti me të cilin udhëtonin të rinjtë, është identifikuar si Aleksandër Krrashi. Ky i fundit ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por tashmë është shoqëruar nga Policia po merret në pyetje lidhur me rrethanat e aksidentit.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 19.03.2025, rreth orës 23:50, në Fushë-Prezë, nga shërbimi i qarkullimit rrugor është konstatuar një automjet i cili kishte marrë flakë dhe para tij qëndronte një automjet betoniere. Nga hetimet e kryera me qëllim zbardhjen e ngjarjes rezultoi se automjeti drejtohej nga shtetasi E. L., 25 vjeç dhe dyshohet se është përplasur me automjetin betoniere të drejtuar nga shtetasi A. K., 24 vjeç, i cili pas aksidentit ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Si pasojë e përplasjes dhe përfshirjes së automjetit nga flakët kanë ndërruar jetë drejtuesi i automjetit E. L., 25 vjeç dhe 3 pasagjerët në mjetin e tij E. L., 20 vjeç, E. K., 24 vjeç dhe A. L., 22 vjeç. Në vijim të veprimeve u shoqërua për veprime të mëtejshme drejtuesi i automjetit betoniere shtetasi A. K, 24 vjeç. Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet me qëllimin dokumentimin e plotë të ngjarjes./ZËRI