Ekzekutimi i “Dodës”/ Roli i Gëzim Ballës, provat dhe dëshmitë në dosjen hetimore

Ekzekutimi i “Dodës”/ Roli i Gëzim Ballës, provat dhe dëshmitë në dosjen hetimore

Roland Rexhepi

ELBASAN-Autori i pestë i implikuar në vrasjen e ish-efektivit të policisë Roland Rexhepi në vitin 2009 është identifikuar dhe Policia ka shpallur në kërkim 50-vjeçarin Gëzim Balla, që dyshohet se ka qënë i përfshirë në ngajrjen e rëndë kriminale që ka ndodhur 15 vite më parë në qytetin e Elbasanit. Gëzim Balla, është identifikuar nga dëshmia e Donald Hoxhës. 
Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni ‘Në Shënjestër’, zbulimi i shtetasit Gëzim Balla, sot në kërkim nga policia, si një nga bashkëpunëtorët e vrasjes në vitin 2009 të oficerit të policisë, Roland Rexhepi, u bë pas një tjetër gjetje të rëndësishme. Atë të disa gjurmëve të mbetura në furgonin e përdorur në krim, të cilat deri në vitin 2023, kishin mbetur të paidentifikuara se kujt i përkisnin.
Dosja Hetimore
Më datë 22 Dhjetor 2023, Sektori i Daktiloskopisë pranë Institutit të Policisë Shkencore, ka informuar se nga ekzaminimet me sistemin AFIS/APIS, është bërë i mundur identifikimi i gjurmëve papilare të administruara në vendin e ngjarjes të vrasjes së shtetasit Roland Rexhepi, ndodhur më datë 22 Korrik 2009 në Elbasan. Konkretisht nga katër gjurmët papilare të shënuara me shkronja A, B, C, G të fiksuara në vendin e ngjarjes nga kqyrja e furgonit tip Renault pa targa që ka lidhje me vrasjen e shtetasit Roland Rexhepi, dy gjurmët e gishtave të ndodhura tek fotografia e shënuar me shkronjën ‘B’. janë formuar nga gishti tregues dhe i mesit i dorës së djathtë të shtetasit Donald Luan Hoxha. i vitlindjes 1990. Pas relacionit të depozituar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, më datë 3 Janar 2024, prokurorët e çështjes vendosën rifillimin e hetimeve për vrasjen e shtetasit Roland Rexhepi. Dhe disa ditë më pas lëshuan urdhërin e menjëhershëm të ndalimit për shtetasin Donald Hoxha, i dyshuar për krimet ‘Vrasje me paramendim’ në bashkëpunim si dhe ‘Mbajtje pa leje të armëve luftarake’ Ku me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, ndaj këtij personi është caktuar masa e sigurimit personal ‘Arrest në burg’.
Dëshmitë
Përpara se të vinte në Shqipëri dhe të jepte deklarata për hetuesit këtu, Donald Hoxha, rrëfeu nga Anglia ku ndodhej për familjarët e tij, se ai ishte përfshirë pa dijeninë e tij, në organizimin që përfundoi në vrasjen e Roland Rexhepit.
Shtetasi Luan Hoxha, ka deklaruar se më datë 11 Janar 2024, ka folur në telefon me djalin e tij Donaldin, pasi ky i fundit ishte arrestuar në shtetin anglez me qëllim ekstradimin për vrasjen në vitin 2009 të shtetasit Roland Rexhepi. Sipas babait të tij, Donaldi i ka pranuar faktin, që ka qenë ai që ka marrë furgonin në Maminas. I gjendur në një situatë aspak të favorshme dhe me një akuzë të rëndë mbi supe, Donald Hoxha, del se në këtë rrëfim të tij për babain, ka treguar edhe emrin e personit që e mori me vete në Maminas për të blerë furgonin tip ‘Renault’ të bardhë. Që më pas del se u përdor në krimin e vrasjes së Roland Rexhepit atë mëngjes të datës 22 Korrik 2009, në Elbasan. Ky person sipas të thënave të Donaldit, ishte Gëzim Balla. Me të cilin kishte njohje, për shkak të pasionit të tij për makinat.
Luan Hoxha: Donaldi më pranoi se e kishte marrë ai furgonin në Maminas, por këtë e kishte bërë pasi ia kishte kërkuar Gëzim Balla, me të cilin së bashku kishin shkuar edhe e kishin blerë atje dhe më pas e kishin sjellë te stadiumi në Elbasan. Por Donaldi më tha që nuk kishte patur dijeni përse duhej furgoni dhe se Gëzimin e njihte pasi në ato vite ai ishte shok me dajën e tij, shtetasin Mentor Fekollari.
Por i pyetur nga grupi hetues, në lidhje me njohjen e tij me Donald Hoxhën, Gëzim Balla mohoi që të njihte qoftë atë vetë, apo babain dhe dajën e tij. Apo qoftë edhe të kishte blerë ndonjë furgon të bardhë në Maminas, siç kishte deklaruar Donaldi për të afërmit të tij. Por ky mohim duket se ishte thjesht një taktikë për të fituar kohë nga Gëzim Balla, i cili, nga sa ndodhi më pas, do të shfrytëzonte periudhën e ekstradimit të Donald Hoxhës në Shqipëri, për t’u larguar nga vendi.
I pyetur nga grupi hetues, Gëzim Balla, mohoi njohjen me shtetasit Donald dhe Luan Hoxha si edhe Mentor Fekollari. Po kështu ai nuk pranoi të ketë dalë jashtë Shqipërisë me shtetasin Donald Hoxha. Apo të ketë marrë apo blerë ndonjë furgon të bardhë në Maminas në vitin 2009. Ndërkohë që më datë 25 Prill 2024 u bë i mundur ekstradimi nga Anglia i personit nën hetim Donald Hoxha si edhe ekzekutimi i masës së sigurimit caktuar ndaj këtij shtetasi.
Dosja Hetimore
I pyetur nga grupi hetues, Gëzim Balla, mohoi njohjen me shtetasit Donald dhe Luan Hoxha si edhe Mentor Fekollari. Po kështu ai nuk pranoi të ketë dalë jashtë Shqipërisë me shtetasin Donald Hoxha. Apo të ketë marrë apo blerë ndonjë furgon të bardhë në Maminas në vitin 2009. Ndërkohë që më datë 25 Prill 2024 u bë i mundur ekstradimi nga Anglia i personit nën hetim Donald Hoxha si edhe ekzekutimi i masës së sigurimit caktuar ndaj këtij shtetasi.
Donald Hoxha: Unë jetoj me dokumente të rregullta në Angli që prej vitit 2017. Njohja ime me Gëzim Ballën, daton që nga fundi i vitit 2008, kur ai sapo kishte ardhur nga Greqia, pasi ishte shok me dajën tim, Mentor Fekollari, i cili tani quhet Menti Rroseni dhe jeton në Francë. Unë Gëzimin nuk e kam patur shok, por e njoha më shumë gjatë kohës kur unë punoja te qendra e internetit në pronësi të dajës tim Mentorit dhe ai vinte shpesh aty. Unë kam qenë gjithmonë i dhënë pas makinave dhe ka pasur raste që ia kam marrë Gëzimit makinën e tij për të bërë xhiro. Në atë kohë ai ka pasur një automjet ‘Golf’ 4 ngjyrë blu dhe më pas ‘Peugeot’ apo ‘Citroen’ nuk e kujtoj dot fiks. Mbaj mend që atë ditë isha duke pirë kafe me një shokun tim që quhet Edmond Çullhaj, kur Gëzimi më mori në telefon dhe më tha se do të shkonim të blinim një furgon në Maminas, që i duhej sipas tij për të punuar në fshat. Unë pranova me dëshirë të shkoja dhe këtë bisedë ia tregova edhe Edisonit. Kur shkuam në Maminas në një varrezë makinash, aty Gëzimi takoi një burrë me kaçurrela të veshur me kanotjere. Mban mend që furgoni ishte ‘Renault’ i bardhë dhe jo një gjendje të mirë pune. Pasi mbaruam punë dhe kryem pagesën unë mora furgonin dhe Gëzimi erdhi nga pas me makinën e tij. Mbaj mend që kur ishim afër kafe ‘Kiu-t’, tek rruga e vjetër e Krrabës, Gëzimi më mori në telefon dhe më tha që të ndaloja sepse më ishte hapur dera e pasagjerit të furgonit. Më kujtohet që derën e lidhëm me litar. Kur mbërritëm në Elbasan, Gëzimi më mori prapë në telefon dhe më tha që furgonin ta parkoja  tek stadiumi sepse do e dërgonte më vonë diku për ta rregulluar.
Gëzimi është munduar ta mbajë larg Donaldin, nga informacioni se çfarë u bë me furgonin që kishin blerë së bashku në Maminas. Madje e siguroi që ta bëjë gjumin e qetë, se asgjë nuk kishte për të ndodhur. Duke lënë të kuptojë se çdo gjë ishte pastruar mirë e bukur.
Donald Hoxha: Pasi e telefonova Gëzimin ne u takuam së bashku te zona e quajtur ‘Gurabardhi’ në Elbasan. Aty ku unë e pyeta Gëzimin nëse furgoni që doli në lajme ishte i njëjti me atë që kishim blerë apo jo, gjë të cilën ai ma mohoi. Ashtu sikurse nuk më tregoi as vendin ku e kishte lënë. Aty mbaj mend që Gëzimi më tha: ‘O Donald po edhe sikur të jetë nuk ka problem, sepse unë i kam fshirë gjurmët nga ai furgon kështu që mos ki merak’.
Si u vra “Doda”, Roland Rexhepi
Ekzekutimi i ish-oficerit të Policisë, Roland Rexhepi u realizua mëngjesin e 22 korrikut të vitit 2009.Ai ka mbetur i vdekur në vend, pasi ndaj tij është qëlluar me breshëri nga dy armë zjarri të llojit automatik, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Autorët ishin të maskuar, por ekspertët e kriminalistikës kanë mundur të sigurojnë provat e ADN-së të gjetura në një motor, në bishta cigaresh apo në një kapuç të gjetur më vonë brenda një furgoni. Krahasimi i tyre, ka bërë të mundur zbardhjen e identiteteve të autorëve, edhe pse dy të dënuarit nuk e kanë pranuar asnjëherë krimin. Në rastin e Florind Shabanit, kanë qenë autoritetet hetimore nga Gjermania ato që kanë sjellë provat e ADN-së së tij pasi rezulton i dënuar në shtetin gjerman për lëndë narkotike. Autoritetet shqiptare kanë krahasuar ADN-në e tij me atë të babait, Ismail Shabani.
Ndërkohë që Policia e Shtetit nuk kishte zbardhur ende vrasjen e ish-efektivit, në një atentat me armë zjarri tre vite më vonë vritet në qendër të Elbasanit biznesmeni Ilir Rexhepi, vëllai i ish-efektivit të antikrimit në Policinë e Elbasanit. Rexhepi u ekzekutua më 30 dhjetor të vitit 2011. Në pamjet e kamerave të sigurisë duket një person që largohet duke çaluar, pasi ndaj atentatorit u kundërpërgjigj me armë biznesmeni, i cili humbi jetën pak momente më vonë.
Burimi