Dy ditë zie për Ismail Kadarenë, ngrihet komision i posaçëm për ceremoninë shtetërore, mbikëqyret nga Rama
Ismail Kadare
TIRANË- Shqipëria do të mbajë dy ditë zie kombëtare për vdekjen e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, ndërkohë që homazhet do të mbahet nesër (e mërkurë), në një ceremoni shtetërore. Flamujt në të gjitha institucionet shtetërore do të qëndrojnë për dy ditë të ulur në gjysmështizë, ndërkohë që e gjithë ceremonia do të monitorohet nga zyra e kryeministrit Edi Rama.
Për mbarëvajtjen e ceremonisë dhe homazheve është ngritur një komision i posaçëm, nën mbikqyrjen e kryeministrit Rama, pjesë e të cilit dot të jenë 3 ministra, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj drejtori i policisë së shtetit, komandanti i Gardës por dhe përfaqësues të kabinetit kryeministror.
Përbërja e komisionit të posacëm shtetëror për ceremoninë e varrimit të Kadaresë
Do jetë nën mbikëqyrjen e Kryeministrit
-Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit – Blendi Gonxhe- Ministri i Mbrojtjes – Niko Peleshi – Ministrin i Brendshëm – Taulant Balla – Kryetari i Bashkisë Tiranë – Erion Veliaj- Drejtori i Protokollit të Shtetit – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit – Muhamet Rrumbullaku- Komandanti i Gardës së Republikës së Shqipërisë- Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare;- Përfaqësues nga Kabineti i Kryeministrit- Përfaqësues nga zyra e Shtypit të Kryeministrit.
Homazhet do të mbahen në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Tiranë, ditën e mërkurë, datë 3.7.2024, përkatësisht, nga ora 9:00 deri në orën 11:00, dhe nga ora 11:30 deri në orën 12:30.
Po kështu në orën 13:00, të 3 korrukut në nderim të tij do të ndërpritet çdo veprimtari dhe të mbahet një minutë heshtje. Radiotelevizioni Shqiptar, gjatë orëve të kryerjes së homazheve dhe ceremonialit shtetëror do të transmetojë muzikë funebre.
Ngarkohet Protokolli i Shtetit që të krijojë dhe të drejtojë grupin e punës, përgjegjës për ndjekjen dhe zbatimin e masave organizative të homazheve dhe të ceremonialit shtetëror. Po kështu dhe shpenzimet e varrimit, të homazheve dhe të ceremonialit të përballohen nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Kolosi i letrave shqipe Ismail Kadare ka mbyllur sytë në moshën 88-vjeçare. Shkrimtari i madh u shua në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, mëngjesin e të hënës (1 Korrik) në orën 08:50. Ai ka lënë pas dhjetra vepra, kryesisht në prozë, por edhe në poezi dhe përkthime. Në 30 vitet e fundit, jeta e Kadaresë ishte e ndarë mes Francës dhe Shqipërisë. Ismail Kadare ishte burim frymëzimi dhe për kinematografinë e tij. Personazhet e skalitura mjeshtërisht nga ai në librat që shkroi, u bënë pjesë të filmave shqiptarë.
Kadare lindi më 28 janar 1936 në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi me studime në Moskë në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki”. Si shkrimtar u shqua kryesisht për prozë, por kontributi i tij u shtri edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.
Kur ishte 13 vjeç zbuloi Makbethin e Shekspirit, dhe kështu i lindi dashuria për letërsinë. Në këtë moshë shkroi tregimet e para të cilat i botoi te revista “Pionieri” në Tiranë. Në moshën 17-vjeçare shkroi dy poezi për Stalinin, gjë që sipas Malcolm, ndihmoi në botimin e librit të tij të parë në moshën 18-vjeçare, një përmbledhje poetike e titulluar “Frymëzime djaloshare”.
Vepra e parë e rëndësishme e Kadaresë është romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963), që është një pikë kthese në prozën moderne shqiptare. Në prozën e tij, Kadare e vështron të shkuarën jo vetëm si histori qëndrese heroike, por si histori mbijetese të identitetit shqiptar. Më pas, pasuan romanet “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Vit i mbrapshtë”, “Shkaba”, “Spiritus”, “Hija”, “Pasardhësi”, ku vihen përballë vlerat e jetës dhe çmimi i vdekjes.
Romani “Kush e solli Doruntinën” (1979) u kujtoi bashkëvendësve ringjalljen, rilindjen, atë vlerë që gjendej në baladat e hershme të tyre dhe që mbante shenjën e humanizmit të Rilindjes Europiane. “Kronikë në gur” (1971) është romani i dytë i Kadaresë që trajton temën e luftës antifashiste, e parë me sytë e një fëmije tregohet si një lojë, ku palët shfaqen si në një teatër. Ndërkaq, romani “Kështjella” është quajtur “roman historik”, por dhe “roman i heroit të papranishëm”.
Nocioni i kështjellës është i pranishëm edhe te “Prilli i thyer” (kulla e ngujimit); te “Krushqit janë të ngrirë”, te “Ndërtimi i piramidës së Keopsit”, te “Piramida”. Në të kundërtën, nocioni i urës gjendet tek “Ura me tri harqe”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Kushëriri i engjëjve”. Romani “Dimri i madh” (1977) është varianti i ripunuar i veprës “Dimri i vetmisë së madhe”, që u botua më 1973, në të cilin trajtohet tema e konfliktit me sovjetikët.
Romani tjetër “Koncert në fund të dimrit”(1987), trajtoin temën e konfliktit me kinezët. Romani “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1979) përfaqëson veprën më problematike dhe më mospajtuese të Kadaresë me realizmin socialist Thelbi i romanit është alegoria politike antitotalitariste, duke marrë shkas prej mënyrës së funksionimit të ish-Perandorisë Osmane.
Në vitin 1992, Kadare u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca. Në vitin 2005 fitoi çmimin “Man Booker Prize” i nominuar krahas nobelistëve Günter Grass, Garbiel Garcia Marquez, Kenzaburo Oe etj.
Në vitin 2009 u nderua me çmimin spanjoll Princi i Asturias për Artet, në 2010-n, u nderua në Itali me çmimin Lerici Pea. Ismail Kadare është dekoruar nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. Ai është shkrimtari i vetëm shqiptar që është kandiduar pesë për të fituar çmimin Nobel në Letërsi. Kadare la pas bashkëshorten e tij, shkrimtaren Helena Kadare, dhe dy vajzat, Gresa e Besiana. /ZËRI
Burimi