
Dita e Verës/ Policia plan masash, bllokohen rrugët kryesore në Tiranë dhe Elbasan

Foto ilustruese
TIRANË- Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e aktiviteteve që do të zhvillohen për Ditën e Verës. Të gjitha strukturat e Policisë dhe të rendit do të jenë në terren të shpërndarë në sheshet dhe rrugët ku do të ndodhen qytetarët për të ndjekur aktivitetet e planifikuara.
Ndërsa, si pjesë e planit të masave, akset rrugore kryesore në qendrat e qyteteve do të bllokohen lëvizjet e automjeteve.
Në Elbasan nuk do të lejohet parkimi i automjeteve dhe qarkullimi i tyre në disa segmente rrugore në qendër të qytetit, ndërsa në Tiranë, deri në përfundim të aktiviteteve, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në rrugët “Papa Gjon Pali II” dhe “Ibrahim Rugova”.
Shërbimet e Policisë Rrugore dhe të Policisë Bashkiake do të jenë të terren, për të monitoruar lëvizjen e automjeteve, me qëllim shmangien e krijimit të trafikut dhe orientimin e drejtuesve të automjeteve, në rrugë alternative. Policia e Shtetit i bën apel qytetarëve, që të zbatojnë masat kufizuese dhe të bashkëpunojnë për të ndihmuar në mbarëvajtjen e aktiviteteve./ZËRI