Dështon konsensusi për Reformën Zgjedhore, PS dorëzon e vetme projektligjin, nga herësi të vota e emigrantëve
Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi
TIRANË- Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend projektligjin për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, pas dështimit të grupit të dialogut mes PD-së dhe PS-së. Drafti i propozuar amendon vetëm tre vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ku socialistët propozojnë që vota e diasporës do të bëhet përmes postës, ndërsa shpenzimet do të ndahen mes KQZ-së dhe votueseve.
Në propozimin e socialistëve thuhet se KQZ, duhet të paguajë për dërgimin e fletës, ndërsa tarifën e kthimit do të duhet që ta paguajnë votuesit. Mënyrën e regjistrimit e emigrantëve për të marrë pjesë në zgjedhje pa pasur nevojë të vijnë fizikisht Shqipëri, PS ia ka lënë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të caktuar modalitetet.
Vota e diasporës do të përllogaritet në qarkun ku emigrantët kanë adresën e banimit në Shqipëri. Sa i përket hapjes së listave të kandidatëve për deputet, Partia Socialiste propozon që të vendoset sërish një prag brenda listës.
Sipas këtij propozimi, renditja e kandidatëve fitues do të bëhet në bazë të votave parapëlqyese duke e ndarë listën në dy zona, atë fituese dhe atë humbëse. Që një kandidat të kalojë nga pjesa humbëse në atë fituese, duhet të thyej herësin i cili është numri i votave të partisë në një zonë zgjedhore, pjesëtuar me numrin e mandateve të përfituara në atë zonë, pjesëtuar sërish me 1.5. Pavarësisht rezultatit të këtij pjesëtimi, ky numër nuk mund të jetë më shumë se 7 mijë.
Propozimi i tretë i PS lidhet me pragun kombëtar për kandidatët e pavarur duke e hequr atë në bazë edhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas propozimit të tyre, në shpërndarjen e mandateve përjashtohen partitë apo koalicionet që kanë marrë më pak se 1% të votave në rang kombëtar.
Këto propozime do të futen në kalendarin e punimeve të Kuvendit, ku nevojitet gjetja e konsensusit për të arritur numrin 84 pasi socialistët nuk i kanë të vetëm./ZËRI
Burimi