
Dashnor Sula shpërthen në akuza: PD ka rënë në dorë të Flamur Nokës e Albana Vokshit
Dashnor Sula
TIRANË-Deputeti Dashnor Sula ka vijuar reagimet pas largimit nga Partia Demokraike. Sula u shpreh se PD ka përfunduar sot në duart e dy figurave më të urryera nga shqiptarët, që sipas tij janë Albana Vokshi dhe Flamur Noka.
“Në radhë të parë falenderoj gjithë demokratët e Elbasanit, Peqinit që përgjatë 20 viteve kemi punuar bashkë për një ëndërr që PD të triumfojë në zgjedhje që nuk u realizua për shkak të problemeve të mëdha të brendshme dhe fatkeqësisht konstatoj që këto probleme që duhet të mbylleshin pas vendimit të 9 shtatorit kur Basha mori një vendim të njëanshëm për largimin e Berishës nga grupi i PD vazhdojnë. Fatkeqësisht PD ka rënë sot në dorë të dy figurave të urryera nga shqiptarët si Albana Vokshi dhe Flamur Noka. Vokshi kurrë nuk ka bërë një garë brenda PD, kam folur për këto gjëra, vetëm se kam folur jam këtu sot. Isha në listë të hapur, edhe pse nuk jam më në PD se u largova me një vendim të njëanshëm, bashkë me kreu e PS në Kavajë, edhe pse ishim më të votuarit në primare. Unë nuk mund të lejoj të përdhunohem, jam i vetmi person që nuk kam marrë kurrë një tender kur Sali Berisha ishte kryeministër dhe kam bërë një opozitë të fortë brenda PD”, theksoi Sula.
Deputeti pasi u përjashtua nga lista e PD, iu bashkua në minutat e fundit para dorëzimit të listave në KQZ, koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në qarkun e Elbasanit.
Partitë politike kanë dorëzuar tashmë listat e hapura dhe të mbyllura për kandidatët për deputetë për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në 11 Maj. Sa i përket Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës nga 49 kandidatë mes tyre 12 emra janë rezervuar për në listën e mbyllur dhe 37 në listën e hapur. Nga ana tjetër 13 deputetë të Partisë Demokratike janë në listën e hapur për zgjedhjet e “11 majit dhe 19 demokratë në listat e mbyllura. Lista u dorëzua edhe nga koalicioni Euroatlantik I Lulzim Bashës dhe koalicioni “Nisma Shqipëria” drejtuar nga Adriatik Lapaj. Sa i përket PSD Vetë Tom Doshi ka zgjedhur që të garojë për të marrë mandatin e tij në qarkun e Shkodrës. Nga ‘Partia Mundësia’, Agron Shehaj ka vendosur të kandidojë në një nga qarqet më të rëndësishme, Tiranën./ZËRI
Burimi