Çudit avokati i Beqjas: SPAK e ka personale me të, po e pengojnë të raportojë në Kuvend për sterilizimin
Ilir Beqaj dhe Ermal Yzeiraj
TIRANË- “As prokuroria vetë nuk e ka besuar atë që ka kërkuar në Gjykatë”, kështu është shprehur ditën e djeshme në dalje të Gjykatës së Posaçme, avokati mbrojtës i ish-ministrit të shëndetësisë Ilir Beqaj, Ermal Yzeiraj, i cili ka lëshuar një seri akuzash në drejtim të SPAK. Avokati i Beqajt tha se Prokuroria e Posaçme e ka personale me ish-ministrin, pasi puna e kësaj strukture për korrupsionin në radhët e zyrtarëve të lartë, ka nisur pikërisht me kallëzimet që janë bërë për klientin e tij, për koncensionet e sterilizimit dhe check up.
Sipas Yzeirajt, burgosja e Beqajt për akuzën e abuzimit me fondet e BE-së, kur nuk ka një vlerë të qartë të dëmit ekonomik, në fakt është një manovër e SPAK, për të vënë para përgjegjësisë ish-ministrin, pasi ka dështuar me dy dosjet e tjera. Yzeiraj shton më tej, se SPAK ka për qëllim që të pengojë Beqajn që të lexojë dhe të ketë dijeni për të gjithë fashikujt e dosjes së koncensioneve në shëndetësi, si dhe t’i ndalojë atij pjesëmarrjen në Komisionin Hetimor Parlamentar, që është ngritur pikërisht për këtë çështje.
I pyetur me insistim nga gazetarët, se kujt i shërben heshtja e Beqajt, dhe mosdhënia e dëshmive të tij, para deputetëve në Kuvend, Yzeiraj bëri përgjegjës vetëm SPAK, dhe jo segmente të tjera të politikës apo biznesit.
Sipas avokatit Yzeriraj, burgosja e Beqajt për abuzimin me fondet e BE-së, po bëhet me qëllim rëndimin e pozitave të tij për çështjen tjetër që është nën hetim prej muajsh nga SPAK, dhe për të cilën ndaj ish-ministriit kishte një masë tjetër sigurie, “detyrim paraqitje”.
Ermal Yzeiraj: Kam përshtypjen që as Prokuroria nuk e ka besuar atë që ka kërkuar në Gjykatë. As Gjykata nuk e ka besuar dhe nuk e mendon atë që ka shkruar në vendim. Besoj që ka arsye të tjera që zoti Beqaj është penguar që të vazhdojë leximin e fashikujve të Sterilizimit. Pse është penguar tani që të shkojë në dy komisionet e Shëndetësisë? Pikërisht që të mos lexojë më, të mos dërgojë më memo dhe të mos shkojë në Kuvend. Kjo është arsyeja pse u mor kjo masë ekstreme për arrestimin e tij.
Zoti Beqaj i mohoi akuzat dhe i bëri disa pyetje prokurores, e cila nuk i dha përgjigje. Pyetja kryesore ishte lidhur me nenin konkret të BE-së që ka shkelur Beqaj dhe pyetjet e tjera ishin për çdo përgjim për çdo dokument të paraqitur si provë. Zoti Bqaj dhe të dhe personat e tjerë sqaruan dhe faktin në bashkëpunim sesi SASPAC-u me Ministrinë e Kulturës kishin organizuar një event dhe arsyeja pse një event i përbashkët mbante dy fatura që në dukje janë si zëra të dubluar por faktikisht është për shkak të eventit që nga dita e parë e në vazhdim u nda salla në disa mikrofonë, panele LED e disa përkthime.
Zoti Beqaj sqaroi edhe gjykatën që kjo është një tentativë për ta denigruar si figurë, për ta nxjerrë si person që mund të akuzohet edhe për vjedhje nga më minimalet, nga më të voglat, për ta penguar zotin Beqaj që të vazhdojë të punojë për çështjen e sterilizimit në gjykatë dhe për të penguar edhe deklarimin e tij në Kuvend. Këtë e theksoi disa herë në Kuvend.
Kush e ka këtë interes?
Yzeiraj: Në mendimin tonë është pikërisht organi i akuzës, i cili çështjen e zotit Beqaj ka “personale” sepse me këtë ka filluar edhe aktiviteti i SPAK-ut, me kallëzimet ndaj zotit Beqaj. Dështimi i çështjeve kryesore si “Sterilizimi” dhe “Check up”-i për akuzën është shumë domethënëse.
SPAK ka dyshime për mashtrime me pasoja të rënda, a dha SPAK vlerë sesa është vlera e mashtrimit?
Yzeiraj: Jo! Unë kam insistuar që prokurorja të përcaktonte një shifër. Kam mbajtur në një copë letër shprehjen “Sa???”. Edhe në media është e paqartë sa është sasia e parave që pretendohet se ka fituar zoti Beqaj. Pa e pasur të qartë një shifër nuk mund të ngresh as akuzë për zotin Beqaj.
Sa ju pengon në dosjen e Sterilizimit fakti që Beqaj nuk do të jetë prezent?
Yzeiraj: Personalisht na dëmton shumë, unë vetë si avokat nuk përballoj dot gjithë atë volum. Kishim ndarë edhe punët me zotin Beqaj. Ky vendim për arrest me burg më detyron që t’i lexoj të gjitha vetë. Gjithë ata fashikuj janë elektronikë dhe zoti Beqaj e ka të pamundur që t’i lexojë elektronikisht fashikujt e Sterilizimit./ZËRI
Burimi