“CFO Pharma” me aktivitet edhe në Kosovë, gazetarja Ramaj: Ka marrë tendera publikë

“CFO Pharma” me aktivitet edhe në Kosovë, gazetarja Ramaj: Ka marrë tendera publikë

"CFO Pharma" me aktivitet edhe në Kosovë, gazetarja Ramaj:

Saranda Ramaj

PRISHTINË– Saranda Ramaj, gazetare nga Kosova, ka komentuar rastin e sulmit ndaj “CFO Pharma” në Tiranë. Në rrjetet e saj sociale, gazetarja Ramaj shkruan se e njëjta kompani, e cila u sulmua me breshëri automatiku e ka shtrirë veprimtarinë e saj edhe në Prishtinë. Madje jo vetëm në sektorin privat, por merr pjesë edhe në tenderat publike. Si një vëzhguese e aktivitetit të kompanisë në Kosovë, ajo thekson “promovimin” që i bëhej nga influencera, gazetarë dhe prezantues. Por përveç tyre, kjo kompani kishte edhe “prezantues” mjekësorë në secilin institucion shëndetësor publik.

Sipas saj, e gjithë ky marketing duhet parë si një shenjë alarmi.

“Dje është sulmuar një kompani farmaceutike në Shqipëri. Sipas mediave shqiptare, shkaku i sulmit mund të lidhet me faktin që CFO Pharma kishte marrë me fajde miliona euro nga një personazh i njohur i krimit në Shqipëri, Ervis Martinaj. CFO Pharma operon edhe në Kosovë dhe, me aq sa kam njohuri, merr pjesë në tenderët publikë (të paktën deri para 7 muajsh). Më pati lënë përshtypje aktiviteti i kësaj kompanie para dy vitesh. Ndihmonte QKMF për të organizuar “turnire futbolli” – një aktivitet që besoj nuk bëhej për shkak të futbollit, por për të shtrirë ndikimin tek mjekët e sistemit publik. Gjithashtu, paguante influencerë nga Shqipëria dhe Kosova për të promovuar produkte që na i paraqisnin si mrekullibërëse, dhe shumë shpesh, si gazetare, shihja “prezantues” mjekësorë të kësaj kompanie në secilin institucion shëndetësor publik. Kjo e fundit duhet të rregullohet me ligj, sepse nuk mund të lejohet qasje e përfaqësuesve të kompanive private tek mjekët e institucioneve publike brenda hapësirave publike, siç ndodh sot. Nuk po them që MSh duhet të marrë masa, sepse e di që ligji ka procedura. Por kjo situatë duhet parë si një shenjë alarmi (red flag). Në anën tjetër, Oda e Farmacistëve të Kosovës duhet të merret më shumë me sektorin e vet. Do të doja që të ishin po aq të zëshëm si për ligjin për unifikimin e çmimit të barnave, edhe për tendencat që po e kthejnë këtë treg në kaos – që të mos përdor ndonjë shprehje më të ashpër. Nuk është se vetëm CFO Pharma vepron në këtë mënyrë, por po e përmend sepse aktualisht është në qendër të diskutimit publik,”-shkruan Ramaj.

Sulmi ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit të 18 marsit. Dy persona qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të fasadës së “CFO Pharma”. Burime bënë me dije se drejt godinës është qëlluar të paktën 30 herë me kallashnikov nga një makinë, e cila fillimisht ka ndaluar, ka qëlluar dhe më pas është nisur në drejtim të Kasharit./ZËRI

Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente