CENSI 2023/ Analfabetizmi problem më shumë tek meshkujt, shtohen femrat me arsim të lartë

CENSI 2023/ Analfabetizmi problem më shumë tek meshkujt, shtohen femrat me arsim të lartë

Foto ilustruese

TIRANË- Të dhëna të tjera janë mësuar nga Censi2023. Sipas të dhënave, 97,7% nga mosha 15 vjeç e lart konsiderohen si alfabetë. Nga popullsia gjithsej me arsim të lartë të përfunduar, 55,7% janë femra, ndërsa pjesa tjetër meshkujt. Duke marrë parasysh edhe të dhënat e vitit 2011, numri i femrave me arsim të lartë është shtuar duke shënuar 55,7% nga 51,0% që ishin në censin e 2011.
PJESË NGA CENSI 2023:
Rezultatet e Censit të vitit 2023 tregojnë një shkallë të alfabetizmit (aftësia për të lexuar dhe shkruar një deklaratë të shkurtër dhe të thjeshtë për jetën e tyre të përditshme) prej 97,7 përqind për popullsinë e moshës 15 vjeç e lart, nga 97,0 përqind që ishte në Censin e vitit 2011. Kjo normë është më e lartë te meshkujt (98,1 përqind) krahasuar me femrat (97,2 përqind). Shkalla e alfabetizmit për të rinjtë e moshës 15-24 vjeç është 99,1 përqind, përkatësisht 98,9 përqind për femrat dhe 99,2 për meshkujt. Banka Botërore vlerësoi se në vitin 2022, 87 përqind e popullsisë botërore janë të aftë të lexojnë dhe të shkruajnë një deklaratë të shkurtër dhe të thjeshtë për jetën e tyre të përditshme, ndërsa 13 përqind ishin analfabetë. Në Shqipëri, shkalla e analfabetizmit për popullsinë e moshës 15 vjeç e lart është 2,3 përqind. Në personat e moshës 70 vjeç e lart vihet re se shkalla e analfabetizmit është më e lartë, duke u vlerësuar në masën 7,6 përqind. Të dhënat e censit tregojnë se 96,8 përqind e popullsisë së moshës 15 vjeç e lart kanë përfunduar ose janë duke ndjekur shkollën, 97,2 përqind meshkuj dhe 96,4 përqind femra. Përqindja e popullsisë së moshës 15 vjeç e lart që nuk ka ndjekur asnjëherë shkollën ka rënë nga 4,1 përqind në Censin e vitit 2011 në 3,2 përqind në Censin e vitit 2023. Më shumë se gjysma (55,0 përqind) e popullsisë së moshës 15 vjeç e lart kanë përfunduar arsimin e mesëm ose arsimin e lartë 6. Për popullsitë përkatëse meshkuj dhe femra, kjo shifër është 57,9 përqind dhe 52,1 përqind. 38,8 përqind e popullsisë 15 vjeç e lart ka përfunduar arsimin e mesëm të ulët, dhe 34,8 përqind kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, i konsideruar dhe si niveli minimal që ndihmon individët të kenë një pjesëmarrje të plotë në shoqëri dhe për të jetuar një jetë të plotë. Rreth 0,6 përqind e popullsisë 15 vjeç e lart nuk ka përfunduar asnjë nivel arsimor. Vërehet një rritje në përqindjen e popullsisë së moshës 15 vjeç e lart me arsim të lartë të përfunduar (universitar dhe pasuniversitar) nga 10,7 përqind në Censin e vitit 2011 në 20,2 përqind në Censin e vitit 2023. Nga popullsia gjithsej me arsim të lartë të përfunduar, 55,7 përqind janë femra dhe 44,3 janë meshkuj. Përqindja e femrave me arsim të lartëka ardhur vazhdimisht në rritje, nga 41,1 përqind në Censin e 2001 në 51,0 në Censin e 2011 dhe 55,7 përqind në Censin e 2023. Për grupmoshën 25-34 vjeç, 43,2 përqind e tyre kanë përfunduar arsimin universitar dhe pasuniversitar, pothuajse e njëjta përqindje me popullsinë e BE-së të së njëjtës grupmoshë (43,1 përqind) dhe vetëm 1,8 pikë përqindje më pak se targeti i BE-së prej 45 përqind për 2030./ZËRI
Burimi