“Cenon të drejtën e pakicës”/ “MARATONA” e ligjit për Komsionet Hetimore, shkaktoi KAOS në Kuvend, zgjidhjen e dha Kushtetuesja
Foto ilustruese
TIRANË- Më 30 nëntor të vitit që lamë pas, deputetja dhe nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj propozoi një ligj të ri për Komisionet Hetimore në Kuvend. Sipas saj, ndryshimet do të siguroheshin që Kuvendi i Shqipërisë të mos e cënonte punën e organeve të drejtësisë, në mënyrë që të kishte një ndarje të qartë të pushteteve. Felaj tha se duke iu referuar ligjit gjerman, një dëshmitar i drejtësisë nuk mund të merret në pyetje në Komisionet Hetimore Parlamentare pa marrë më parë miratimin e prokurorit të çështjes. Pra, sipas saj, në thelb ishte fakti që nuk duhet të kishte përplasje mes drejtësisë dhe Kuvendit.
“Thirrja jonë ka rënë në vesh të shurdhët, ne jemi munduar që të sjellim një produkt të plote pune, ku sjellim të gjitha vendimet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese. Ligji për komisionet hetimore është i para 21 viteve. Kemi marrë praktikat më të mira të ligjeve në vendet perëndimore. Edhe pse ligji nuk është gjetur antikushtetues, praktika ka treguar se ka pasur probleme në punimet e komisioneve. Ka pasur situate të ngarkuara që kanë vënë në ngërç punën e komisioneve. Secila palë ka pasur raporte të ndryshme, në fund të komisioneve parlamentare. Qëllimi i këtyre komisioneve ishte që çështjet të kenë një rëndësi të veçantë, dhe të kenë një fokus të gjerë të interesit publik. Koha nuk pret, puna e komisioneve në shumë raste ka dalë jashtë kornizave kushtetuese”, u shpreh Felaj.
Por çfarë përmbanin ndryshimet në ligj?
Rishikimi i ligjit për ngritjen e Komisioneve Parlamentare u miratua vetëm me votën e të deputetëve socialistë në mbledhjen zhvilluar online, pasi atë kohë opozita kishte vendosur që të bojkotonte dhe të sabotonte punimet plenare. Kështu të vetëm socialistët e diskutuan projektligjin e ri në Komisionin e Ligjeve dhe më pas e kaluan në Kuvend me 75 votat e tyre. Sipas ndryshimeve që tashmë janë të reflektuara në ligj vihet kusht ekzistenca e një çështjeje konkrete për t’u hetuar dhe nevoja për të dhëna apo incidicie të mjaftueshme. Këto mbledhje në të ardhmen do të mbahen të mbyllura në rastet kur vlerësohet se publiciteti mund të dëmtojë moralin shoqëror ose mund të sjellë përhapjen e të dhënave që duhet të mbahen sekret në interes të shtetit. Po ashtu, dëshmitarët e Komisionit Hetimor duhet të marrë paraprakisht leje nga Prokuroria ose Gjykata ku ndodhen aktet për objektin dhe kufijtë e dëshmisë. Edhe marrja e provave sipas ligjit të rishikuar do të ashpërsohet.
Pasi maxhoranca kaloi projektligjin në Kuvend më 19 dhjetor 2023, më 18 Janar 2024, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj e dekretoi edhe pse shprehte disa rezerva për disa dispozita të ligjit. Madje quante “regres” një prej pikave, por nuk pa shkelje kushtetuese në ndryshimet e miratuara në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca.
“Është e vërtetë se dispozita për marrjen e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve me vendim të ndërmjetëm formon regres në raport me ligjin e mëparshëm, i cili, kryerjen e këtyre procedurave nuk ia nënshtronte votimit, por çështja në vetvete nuk ka lëndë kushtetuese,”- argumenton Presidenti.
Edhe pse situata në Kuvend ishte e “ndezur”, Begaj e dha firmën e tij për ligjin. Ndërkohë që në Kuvend, opozita prej muaj protesonte dhe bojkotonte punimet pasi kërkonte ngritjen e disa Komisioneve Hetimore, të cilat maxhoranca i kishte rrëzuar. Opozita kërkonte ngritjen e 8 Komisioneve Hetimore lidhur me çështjet: Bechetti; 25 prilli; inceneratorët; investimet strategjike; dosja ‘McGonigal’; Porti turistik të Durrësit dhe udhëtimet e Ramës me charter. Të gjithë u rrëzuan!
Në këto kushte, për shkak se mazhoranca rrëzoi disa kërkesa të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi më 1 Mars 2024 dërgoi ligjin për Komisionet Hetimore Parlamentare në Gjykatën Kushtetuese. Për të shtuar presionin, dërgoi edhe një shkresë më 10 Mars duke i kërkuar Kushtetueses që të përshpjetonte Gjykimin. Sipas tij, ky ligj mbartte interes të veçantë publik, pasi lidhej me kontrollin e Kuvendit ndaj ekzekuzivit.
Derisa më 21 mars, pas një takimi në Kryesinë e Kuvendit u gjet dakordësia dhe opozita la bojkotin. Pas marrëveshjes PS-PD, me 95 vota pro dhe 1 abstenin për ngritjen e komisionit hetimor për koncensionet në Shëndetësi por edhe për sistemin TIMS. Të dy vazhdojnë punimet edhe sot.
Ndërkohë që punimet në Kuvend ende vazhdojnë, Gjykata Kushtetuese u shpreh sot për ligjin. Gjykata argumenton se formulimi aktual i dispozitës ligjore shkakton cënimin deri në pamundësinë e ushtrimit të së drejtës së pakicës parlamentare. Po ashtu, lidhur me mbledhjen e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve, Gjykata shprehet se kemi të bëjmë me cënimin e të drejtës për informim.
“Marrja e provave nga komisioni hetimor duhet të synojë të sjellë “dritë në errësirë”, në mënyrë që të mundësojë sqarimin e përgjegjësive politike. Vendimi i ndërmjetëm për refuzimin e provave duhet të jetë përjashtim nga rregulli i përgjithshëm. Vendimi për refuzimin e provave duhet të jetë i arsyetuar në drejtim të shkaqeve. Një vendim refuzimi mund të çojë edhe në lindjen e një mosmarrëveshjeje kompetencash ndërmjet organeve kushtetuese. Veprimtaria e komisionit hetimor duhet të jetë publike dhe vetëm përjashtimisht ajo mund të zhvillohet me dyer të mbyllura, kur të drejtat e njeriut prevalojnë në raport me të drejtën për informim.”
Tashmë, Gjykata Kushtetuese është shprehur qartë lidhur me shfuqizimin e pjeshëm të ligjit që ka kohë deri në 6 muaj të ndryshohet nga Kuvendi. Megjithatë duket se do të mbetet për sesionin e radhës, pas pushimeve të verës. Deri më 26 korrik, Kuvendi duhet të ketë “mbyllur punë” me dy Komsionet Hetimore dhe të ketë dalë në një përfundim. Më pas, me nisjen e sesionit të ri, pritet edhe rishikimi i ligjit./ZËRI
Burimi