
Breshëri plumbash, kush e sulmoi biznesin e Nadir Çaushollit

Nadir Çausholli
TIRANË- CFO Pharma, një nga kompanitë më të mëdha farmaceutike në vend, e cila zotërohet nga biznesmeni Nadir Çausholli është sulmuar me breshëri plumbash kallashnikovi. Ishte ora 02:00 e mëngjesit të datës 18 mars, kur dy persona, me një automjet kanë kaluar përballë kësaj kompanie dhe kanë qëlluar në lëvizje në drejtim të fasadës së biznesit. Plumbat janë fokusuar në pjesën e sipërme të fasadës, por pavarësisht breshërisë, nuk ka pasur asnjë person të lënduar.
Autoritetet janë njoftuar në orën 08:00 të mëngjesit, pasi kanë mbërritur anëtarët e stafit në kompani dhe kanë parë shenjat e plumbave. Sipas asaj që raportohet, roja që kanë qenë gjatë natës në kabinën e tij, nuk e ka kuptuar breshërinë e plumbave dhe nuk ka njoftuar askënd.
Por kush janë autorët e sulmit?
Kamerat kanë pikasur dy persona që dyshohet se janë larguar në drejtim të Kasharit, por ata ende nuk janë identifikuar. Vetë biznesmeni Çausholli ka deklaruar se nuk ka asnjë ide se kush mund të fshihet pas sulmit pasi nuk ka konflikte me askënd. Autoritetet janë fokusuar në dy pista, konkurrenca dhe konfliktet e mundshme të biznesmenit Çausholli. Gazetari Artan Hoxha ka përfshirë edhe emrin e Ervis Martinajt në këtë ngjarje, ish-bosit të lojërave të fatit që rezulton i zhdukur që prej gushtit të vitit 2022. Sipas Hoxhës, është hetuar dhe dyshuar se pjesë e aksioneve të kompanisë “CFO Pharma” ka qenë dhe Ervis Martinaj.
Biznesmeni Nadir Çuasholli, në fakt nuk është një emër i panjohur. Ai është arrestuar më 31 tetor të vitit 2015, pasi akuzohej se ka përfituar rreth 2.2 milionë euro nga fondi i ilaçeve të rimbursueshme përmes kompanisë së tij “Omega farma”.
Pas arrestimit të tij, kompania ndryshoi emër, nga “Omega Pharma” në “CFO Pharma”, ndërkohë që drejtimi i kaloi babait të Nadir Çaushollit. Brenda dy vitesh, “CFO Pharma” arriti të konsolidojë pozitën në tregun farmaceutik dhe në vitin 2017 u shpall biznesi i vitit nga Dhoma e Tregtisë dhe Bashkia e Tiranës. Gjykata e Apelit e shpalli të pafajshëm dhe Nadir Çausholli u rikthye si pronar i kompanisë së themeluar prej vetë atij.
Në fund të vitit 2021, kompania “CFO Pharma” bleu për 100 mijë euro aksionet e shoqërisë “Gerard-A”, e cila zotëronte licensën e linjës së autobusëve urbanë të Kasharit. Në vitin 2024, Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka ndaluar kompaninë farmaceutike “CFO Pharma” që të marrë pjesë në tendera shtetërorë për një periudhë 6-mujore për shkak të keqinformimit të instituciove kontraktuese në dy procedura tenderimi.
Vendimi u mor bazuar në informacionin e përcjellë nga Inspektorati Shtetëror i Punës, institucion që ka gjobitur me 200 mijë lekë të reja kompaninë për shkelje të rënda. Edhe pse ishin të gjobitur, kompania e Çaushollit e ka fshehur penalitetin duke “gënjyer” në dokumentet që kanë dorëzuar pranë autoriteteve tenderuese për të vazhduar të marrë tendera kur në fakt, ligji për Prokurimit Publik parashikon që kompanitë e gjobitura për shkelje të ligjit të punësimit përjashtohen nga tenderat publikë.
Të njëjtin vendim, Agjencia e Prokurorimit Publik (APP) e mori dhe për kompaninë tjetër të Çaushollit, kompaninë “Green Line”. Por kjo nuk e ndaloi që “CFO Pharma” të marrë nga Këshilli i Rregullimit të Territorit (KRRT) një leje ndërtimi në fushën e “agropylltarisë”, ose e thënë ndryshe “agroturizëm”.
I gjithë historiku i Çaushollit, bashkëpunëtorët e tij në biznes dhe kamerat e sigurisë mund të çojnë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje./ZËRI