
Babai kandidat në listën e mbyllur, Lapaj: Garanci për listat e hapura
Adriatik Lapaj
TIRANË-Në listën e kandidatëve të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, spikatën dy emra, ai i babait të kryetarit Adriatik Lapaj dhe deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula. Në lidhje me vendosjen e të atit, Ferman Lapaj si deputet në listat e mbyllura në Berat, kreu i “Nisma Shqipëria Bëhet” sqaron se kjo zgjedhje është një garanci.
Adriatik Lapaj përmes një postimi në Facebook ka shpjeguar arsyen pse vendosi babanë e tij Ferman Lapaj, si kandidatin për deputet në listën e mbyllur, duke kryesuar në qarkun e Beratit. Sipas Lapajt, listat e mbyllura të koalicionit “Nisma – Shqipëria Bëhet” janë të përbëra nga prindërit dhe familjarë të kandidatëve si garanci për listat e hapura, në të cilat garojnë emrat kryesorë si vetë ai, por edhe Endri Shabani e Pano Soko.
“Listat e mbyllura te Nismës Shqipëria Bëhet janë të përbëra nga prindërit dhe familjarë të kandidatëve si garanci për listat e hapura. Të gjithë anëtarët e kryesive të koalicionit tonë garojnë në listë të hapur, përfshirë dhe kryetarët. Lista e hapur do të thotë që nuk ka rëndësi renditja e kandidatit. Në fund renditja do të bëhet sipas votave që merr secili. Ecim! -sqaron Adriatik Lapaj.
Lista në Tiranë hapet nga Ana Dajko, ndërsa po në Tiranë garon edhe Endrit Shabani, partneri në koalicion i Nismës Thurje; ndërsa Pano Soko duket se ka zgjedhur që të mos jetë pjesë e kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit. Edhe vetë Lapaj, bashkë me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë garon në Tiranë./ZËRI
Burimi