
Autorë të disa grabitjeve seri në Peqin, arrestohen dy persona

Foto ilustruese
ELBASAN- Dy persona janë arrestuar në Elbasan, pasi dyshohen se janë autorët e disa grabitjeve seri në fshatrat e Peqinit. Në pranga kanë rënë një 38-vjeçar nga Mjekësi dhe një 48-vjeçar nga Durrësi. Gjatë operacioni Policia, sekuestroi një mori sendesh të vjedhura, përfshirë pajisje elektronike, orendi shtëpiake, televizorë, kondicionerë, biçikleta, bizhuteri dhe municion luftarak.
Gjithashtu janë proceduar penalisht edhe një 49-vjeçar, i cili me mjetin e tij ka transportuar sendet e vjedhura dhe një 65-vjeçare që kishte dijeni për krimin dhe nuk ka kallëzuar, pasi u kishte dhënë me qira autorëve një ambient që grumbullonin sendet e vjedhura.
“Si rezultat i këtij operacioni u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit A. C., 38 vjeç, banues në fshatin Mjekës, Elbasan, i dënuar më parë për të njëjtin krim dhe I. S., 48 vjeç, banues në Durrës, të cilët dyshohen si autorë të 8 vjedhjeve në banesa të pa banuara (ku pronarët jetojnë jashtë shteti), përgjatë 2 viteve, në disa fshatra të Peqinit.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
– A. Q., 49 vjeç, banues në fshatin Mjekës, i cili është proceduar penalisht pasi dyshohet se me automjetin e tij ka bashkëpunuar në transportimin e sendeve të vjedhura;
– K. B., 65 vjeçe, që dyshohet se ka pasur dijeni për krimin dhe nuk ka kallëzuar, pasi u kishte dhënë me qira një ambient autorëve që ata e përdornin për grumbullimin e sendeve të vjedhura”, njofton Policia./ZËRI